13 të vdekur në 10 aksidente, ndërsa në total rreth 80 aksidente në të gjithë vendin. Ky është bilanci i vetëm 19 ditëve të para të janarit, një bilanc tragjik, i cili përveç kushteve të ashpra atmosferike që ndikojnë në rrugë, ka pasur edhe arsye të tjera.
Moszbatimi i rregullave të qarkullimit, shpejtësia e lartë, por edhe rritja e fluksit të automjeteve në akset rrugore, janë disa nga këto arsye të tjera.
Ekspert i sigurisë rrugore, Islam Qibini ishte i ftuar sot në “Wake Up” ku theksoi se neglizhenca dhe vetëbesimi i tepruar janë ndër shkaktarët kryesore të aksidenteve në vend.
“Kemi një bilanc negativ kohët e fundit për aksidentet rrugore, të cilat kanë kushtuar jetë njerëzish, sigurisht të pafajshëm dhe këto kryesisht kanë ardhur për pakujdesi, në formën e vetëbesimit dhe neglizhencës nga ana e drejtuesve të mjeteve.
Sigurisht që edhe kushtet atmosferike kanë ndikuar negativisht në këtë periudhë. Rënia e reshjeve të shiut në mënyrë të vazhdueshme, shtrëngata shiu, këto krijojnë vatra uji në segmentet rrugore të caktuara, të cilat krijojnë mundësinë që mjetet të rrëshqasin mbi sipërfaqen e rrugës dhe të humbasin kontrollin e drejtimit të automjeteve”, sqaroi ai.
Top Channel