Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus deklaroi se shpërndarja e pabarabartë e vaksinave antiCOVID-19 midis vendeve të pasura dhe të varfra do të zgjasë pandeminë globale, sipas faqes zyrtare të OBSH-së.
Ghebreyesus e konsideroi zhvillimin dhe miratimin e vaksinave të sigurta dhe efektive më pak se një vit pasi koronavirusi doli si një arritje mahnitëse shkencore.
“Sidoqoftë, shpresat për t’i dhënë fund pandemisë janë në rrezik. Kjo, sepse vendet e pasura po blejnë dhe grumbullojnë të gjitha vaksinat në dispozicion, duke mos lënë asgjë për vendet e varfra”, paralajmëroi ai.
“Më shumë se 39 milionë doza të vaksinave janë administruar tani në të paktën 49 vende me të ardhura më të larta. Vetëm 25 doza janë dhënë në një vend me të ardhura më të ulëta. Jo 25 milionë. Jo 25 000. Vetëm 25”, theksoi ai.
Shefi i OBSH Tedros tha se planet për të filluar shpërndarjen e vaksinave në shkurt në shumë nga vendet më të varfra të botës tani janë në rrezik.
“Kam frikë se një numër vendesh me të ardhura të larta mund të tërhiqen nga premtimet e tyre për shpërndarje të drejtë. Unë dua të jem i prerë: bota është në prag të një dështimi katastrofik moral dhe çmimi i këtij dështimi do të paguhet me jetë”, tha ai.
Ai paralajmëroi vendet e pasura do të paguajnë një çmim të rëndë në injorimin e nevojave të njerëzve më të varfër dhe më të prekshëm në botë. ”Këto veprime do të zgjasin pandeminë”, tha shefi i OBSH-së.
Top Channel