Veliaj dhe Rama në Zall-Herr: Në më pak se një vit u sistemuan më shumë se 90% e personave që ishin në çadra

19/01/2021 18:19

Procesi i Rindërtimit po vijon me intensitet në Tiranë, ku, jo vetëm shtëpi e shkolla, por dhe lagje të reja po rilindin për t’iu dhënë familjeve të prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit mundësinë për të jetuar me dinjitet në hapësira të transformuara.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me Kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj ishin në Zall-Herr, aty ku prej ditës së sotme dy familje të tjera, ajo e Gëzim Shabanit me 8 anëtarë dhe ajo e Ramazan Xhafës me 6 anëtarë po gëzojnë shtëpitë e reja, të rindërtuara nga e para, shumë më të forta e më të mëdha se banesat në të cilat jetonin më parë.

Kryeministri Rama u shpreh se numri i familjeve që janë në çadra ka ardhur duke u reduktuar dhe së shpejti pritet që të gjithë të sistemohen në banesat e reja. “Ne në shkurt kemi pasur 10023 persona në çadra, sot janë vetëm 825, ndërkohë që ata që janë në çadër po marrin edhe bonus qiraje. Edhe pak kohë dhe do sistemohen të gjithë, do mbarojnë shtëpitë individuale. Po marrin pak më shumë kohë apartamentet, por ata që janë të sistemuara në shtëpi me qira,” u shpreh Kryeministri.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se për të gjithë këta banorë në verë pritet të jetë gati edhe rruga e re. Ndërsa ministri Ahmetaj tha se deri në maj pritet të kenë përfunduar 1600 banesa individuale ndërkohë që me bllokun e dytë numri i banesave që do rindërtohen pritet të arrijë në 5500 njësi individuale.

Aktualisht në Zall-Herr kanë përfunduar 52 shtëpi, ndërsa po ringrihen edhe 76 banesa të tjera, si dhe një lagje e re me 49 banesa kolektive për ata që humbën shtëpinë nga tërmeti i një viti më parë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA