Veliaj: “Mos votoni memet, ata që hodhën në erë Gërdecin dhe ata që shitën detin!”

16/01/2021 15:51

Nga Rrogozhina, drejtuesi politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj u bëri thirrje qytetarëve të mos e japin votën kot për kandidatë që dogjën dhe shkatërruan Shqipërinë në 30 vite. Sipas tij, PD dhe LSI po ofrojnë për deputetë në 25 prill, figura të cilat janë kthyer në meme e karikatura, duke i kamufluar në emër të ndryshimit, të resë dhe të ardhmes.

“Shikoj listën e tyre që na rikthejnë si kandidatë për deputetë, ende pa ardhur përvjetori i Gërdecit, Fatmir Mediun, Nard Ndokën dhe Dashamir Shehin dhe thonë ne jemi e reja, jemi ndryshimi, jemi e ardhmja – pra, na sjellin për deputetë memet e rrjeteve sociale. Imagjinoni të kishim ministër Shëndetësie Nard Ndokën në kohë pandemie. E kemi harruar se na duket si meme, por kjo karikaturë ka qenë ministër Shëndetësie dhe sot vjen përsëri deputet. Edhe ai që hodhi në erë Gërdecin, na vjen përsëri deputet,” u shpreh Veliaj.

Ai ka shigjetuar edhe PDIU-në, nga e cila së fundmi po largohet e gjithë anëtarësia.

“Më vjen mirë që shumë prej komunitetit çam, apo prej atyre që ishin përkohësisht me PDIU, janë rikthyer në PS, janë bashkuar me ne – duhet ta vlerësojmë shumë! Këta janë çamët e vërtetë dhe jo ata që drejtojnë sot PDIU-në, që bëjnë koalicion me ata që falën detin. Njeriun nuk e mbajnë fjalët, por veprat – ti mund të thuash gjithë ditën që je patriot i madh, por kur i kërkon lëmoshë nga ai që firmosi faljen e detit, s’mund të jesh drejtues i çështjes çame. Ata le të mbajnë logon e partisë dhe të vazhdojnë me ata që falën detin. Çamët e vërtetë, që janë rikthyer në komunitetin tonë, që i janë bashkuar skuadrës tonë, meritojnë ta kenë derën e hapur dhe t’iu themi mirë se erdhët në partinë që s’e ka shitur kurrë Shqipërinë” u shpreh Veliaj.

Top Channel