Pfizer redukton vaksinat për BE/ Shkak ndryshimet në procesin e prodhimit të dozave

16/01/2021 02:22

Qeveritë europiane druhen se besueshmëria e programeve të tyre të vaksinimit ishte në rrezik pasi kompania farmaceutike amerikane Pfizer njoftoi për një ngadalësim të përkohshëm të dërgesave të vaksinave kundër COVID-19.

Imunizimi me vaksinën e Pfizer dhe partnerit të saj gjerman BioNTech në BE filloi në fund të dhjetorit, por gjatë një takimi këtë javë, rreth nëntë nga 27 qeveritë e BE-së u ankuan për doza “të pamjaftueshme”.

Kompania fillimisht pati njoftuar se shpërndarja po shkonte sipas planit, por pastaj njoftoi se do të ketë një reduktim të përkohshëm të dërgesave në fund të janarit deri në fillim të shkurtit për shkak të ndryshimeve në procesin e prodhimit. Pfizer sqaroi se në fakt, po synon që të rrisë prodhimin.

Vonesat e përkohshme që kjo do të shkaktojë megjithatë kanë shkaktuar shqetësim në Suedi, Danimarkë, Finlandë, Lituani, Letoni dhe Estoni, ministrat e të cilave thanë se një gjë e tillë ndikon jo vetëm në oraret e planifikuara të vaksinimit, por zvogëlon dhe besueshmërinë e procesit. Gjermania, blerësi më i madh në Evropë i vaksinës Pfizer, e quajti vendimin të çudishëm dhe për të ardhur keq, ndërsa Kanadaja tha se gjithashtu ishte prekur nga kjo masë, sepse furnizimet e saj vijnë nga një fabrikë Pfizer-it në Belgjikë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen sqaroi se kishte marrë nga Pfizeri sigurinë se dërgesat e planifikuara në BE, në tremujorin e parë, nuk do të vonohen.

Top Channel