Vjosa Osmani do jetë numër dy në listën e kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Mirëpo, nga iniciativa e Osmanit do të garojnë edhe tetë kandidatë të tjerë, edhe pse ky numër mund të jetë më i lartë.

KosovaPress mëson se përpos Osmanit, në listën e LVV nga iniciativa e presidentes në detyrë është edhe Donika Gërvalla, Haxhi Avdyli, Faton Peci, Doarsa Kica, Jeta Statovci, Gresa Bytyçi, Blerim Gashani dhe Rrustem Leti.

Nëse për të tjerët tashmë dihej se mbështesnin Osmanin, një emër që bie në sy është i kandidatit Leti.

Në zgjedhjet e vitit 2019, i njëjti ka qenë kandidat për deputet me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe nga kandidatët gjakovarë në këtë listë ka qenë më i votuari.

KosovaPress ka kontaktuar Letin dhe i njëjti ka konfirmuar se është pjesë e listës së Osmanit.

“Po, kandidoj nga iniciativa e Osmanit në Lëvizjen Vetëvendosje”, konfirmoi Leti.

I pyetur se sa kandidatë nga iniciativa e Osmanit janë në listën e LVV, Leti ka thënë se janë me shumë se çfarë kishte parë në media.

“Jemi me shumë se çfarë kam lexuar në media, pasi në shumë s’e kam parë as emrin tim, por besoj se jemi mjaftueshëm”, tha Leti pa përmendur numra.

Top Channel