Donald Trump përballet me gjykimin në Senatin pasi u bë presidenti i parë amerikan i përballur për të dytën herë me procesin e shkarkimit. Shefi i Shtëpisë së Bardhë akuzohet për nxitje të turmës së dhunshme që sulmoi Capitolin gjatë trazirave që lanë pas 5 të vdekur.
Gjykimi do të mbahet pasi presidenti të lërë zyrën Ovale të mërkurën. Nëse Trump dënohet, senatorët mund të votojnë gjithashtu që atij t`i ndalohet të mbajë ndonjëherë në jetë një post tjetër publik.
Presidenti republikan ka hedhur poshtë çdo përgjegjësi për aktet e dhunës në Capitol, dhe në mënyrë të përsëritur, i ka bërë thirrje mbështetësve të tij që të jenë paqesorë. Akuza për nxitje rebelimi në Capitol u ngrit pasi Zëvendës Presidenti Mike Pence informoi Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi se ai nuk do të aktivizonte dispozitën kushtetuese për heqjen e përkohshme të Trump nga pushteti me argumentin se është i paaftë për të qeverisur.
Votimi në Dhomën e Përfaqësuesve u zhvillua në Kapitol nën masa të rrepta sigurie dhe nën mbrojtjen e Gardës Kombëtare. Në një sondazh të bërë pas trazirave të 6 janarit, 56% e votuesve të regjistruar thane se Trump ishte përgjegjës për dhunën në Kapitol, dhe një shumicë e vogël shprehet se ai duhej të hiqet nga detyra.
Top Channel