‘Shpërthim bërthamor kibernetik’/ Rusia flet kundër ndalimit të Trump nga mediat sociale

15/01/2021 21:52

Vendimi i gjigandëve amerikanë të teknologjisë për të ndaluar llogaritë e presidentit Donald Trump, do të ketë pasoja të rënda për vlerat demokratike që SHBA trumbeton me zhurmë, tha zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse.

“Lëvizja për përjashtimin e një kreu amerikan të shtetit në detyrë, nga kompanite private të SHBA, mund të krahasohet me një shpërthim bërthamor në hapësirën kibernetike”, tha dje zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse Maria Zakharova, duke shtuar se nuk janë pasojat e saj të menjëhershme por ato afatgjata që janë më shqetësuese.

“Kjo është një goditje fatale ndaj vlerave demokratike që predikohen nga Perëndimi, pasi i jep një argument të fortë e të padiskutueshëm mbështetësve të censurës politike si dhe atyre që dëshirojnë anarkinë kibernetike në internet”.

Zëdhënësja tha se që tani, lëvizja ka shkaktuar ristrukturim të tregut mediatik dhe një nga “emigracionet më të mëdha të audiencës dixhitale.

Më herët u raportua se aplikacioni rus i mesazheve Telegram, po rritej ndjeshëm në SHBA, prej njerëzve të pakënaqur që kishin braktisur Facebook e Twitter, pas ndalimit të Trump.

Themeluesi i rrjetit Telegram, Pavel Durov, paralajmëroi se “duopoli Apple-Google” është rreziku kryesor i censurës kibernetike, edhe më i madh se ai i rrjeteve sociale, pasi mund të restrukturojë aplikacionet e përdorura nga popullata.

Ndërsa Zakharova ngriti shqetësimet se gjendja aktuale e mediave amerikane i ka kthyer ato në një “sintezë primitive vendimesh kaotike lobizmi, kërcënimesh dhe opinioni publik”.

Facebook, Twitter dhe disa platforma të tjera kanë ndaluar llogaritë e Donald Trump prej shqetësimeve se mund të nxisë trazira të tjera mes mbështetësve të tij.

Kancelarja gjermane Angela Merkel e quajti vendimin “problematik” kurse komisioneri i tregut të BE, e krahasoi me një ndryshim kolosal në perceptimin e sigurisë, me impakt të ngjashëm me atë të sulmeve të 11 shtatorit në SHBA.

Top Channel