Pas atij anglez e afrikan/ Shkakton shqetësim varianti brazilian i covid-it

15/01/2021 13:38

Pas variantit të ri anglez dhe afrikano jugor të koronavirusit, që janë konsideruar shumë më ngjitës por jo më vdekjeprurës, tani ka dalë në horizont edhe një variant i tretë, me origjinë në amazonën braziliane, që po analizohet në mes të frikës se ai mund të prekë edhe reagimin imunitar dhe me gjasë, ti bëjë vaksinat më pak efikase.

Variantet e reja të koronavirusit kanë bërë që shkencëtarët të nisin me urgjencë studimin e tyre për të kuptuar se cfarë kërcënimi përbëjnë. Varianti britanik i koronavirusit, është bërë tashmë dominues në Britaninë e Madhe dhe është përhapur në më shumë se 50 shtete të tjera të botës. Varianti afrikano jugor është gjendur edhe në të paktën 20 shtete të tjera, përfshirë edhe Britaninë e Madhe.

Ndërsa varianti i ri i Brazilit, është në hapat e parë por ai po fajësohet për rritjen e madhe të infektimeve në vend. Ai është pikasur së fundmi në katër udhëtarë që mbërritën në Japoni nga Brazili dhe ka tre mutacione kyçe në proteinën spike që e bëjnë të ngjashëm me atë afrikano-jugor. Ekspertët thonë se nuk është e pazakontë që variante të reja të zhvillohen. Të gjithë viruset pësojnë mutacione pasi bëjnë kopje të reja të vetvetes për tu përhapur.

Ka me qindra versione të ndryshme, ose variante, të covidit që janë aktualisht në qarkullim. Në pjesën më të madhe, dallimet janë të parëndësishme. Disa mutacione madje mund të jenë edhe të dëmshme për vetë mbijetesën e virusit. Por disa të tjerë mund ti bëjnë më infektues dhe kërcënues.

Tre mutacionet shqetësuese, ai britanik, i Afrikës së jugut dhe Brazilit, i janë nënshtruar ndryshimeve në proteinën spike, që është edhe pjesa e virusit që i ngjitet qelizave njerëzore. Si rezultat, këto variante duket se infektojnë më shumë qelizat dhe përhapen.

Vaksinat aktuale janë projektuar duke u mbështetur në variantet e mëparshme, por shkencëtarët besojnë se ato duhet të funksionojnë edhe ndaj këtyre më të rinjve.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA