OBSH kërkon shpërndarje më të drejtë, 95 për qind e vaksinave kundër coronavirusit i janë dhënë vetëm 10 vendeve

15/01/2021 21:04

Kreu i degës evropiane pranë Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Hans Kluge, ka deklaruar në Kopenhagë se 95 për qind e vaksinave kundër coronavirusit deri më tani janë shpërndarë në vetëm 10 vende të botës, duke bërë thirrje për një shpërndarje më të drejtë.

Kur është fjala për vendet që kanë siguruar vaksinën, aty prijnë SHBA-të, Kina, Britania e Madhe, Izraeli, Emiratet e Bashkuara Arabe, Italia, Rusia, Gjermania, Spanja dhe Kanadaja.

“Të gjithë së bashku nuk duhet të lejojmë që pas vetes ta lëmë çfarëdo vendi apo komuniteti, duke ua pamundësuar qasjen në vaksinë”, ka shtuar Kluge.

Ai ka theksuar se OBSH-ja dhe partnerët e saj në programin COVAX janë duke bërë përpjekje maksimale që vaksinat të jenë të qasshme në çdo vend të botës, duke rikujtuar që të gjitha masat në luftën pandemisë duhet të arrihen duke u bazuar në vlerat humane, solidaritet dhe unitet.

Sipas të dhënave më të fundit, deri më tani janë dhënë rreth 32 milionë vaksina, kurse Kluge ka bërë me dije se në rajonin evropian që e mbulon OBSH-ja – nga 53 shtetet në 31 prej tyre ka filluar programi i vaksinimit.

Por, pavarësisht këtyre fushatave, Kluge konsideron se shpejtësia e bartjes së variantit të ri të coronavirusit që konsiderohet më infektues, është shumë shqetësues.

Në Evropë, përfshirë edhe Rusinë, 25 shtete kanë identifikuar rastet me variantin e ri të coronavirusit, që fillimisht ishte shfaqur në Britaninë e Madhe. /Telegrafi/

Top Channel