Një grup i qytetarëve nga katër komunat në veri të Kosovës, të cilët u imunizuan më 25 dhe 26 dhjetor të vitit 2020, me vaksinën kundër koronavirusit Pfizer/BioNtech, kanë marrë dozën e dytë të vaksinës më 14 janar në objektet shëndetësore në komunën e Rashkës në Serbi, pranë vendkalimit kufitar me Kosovën, në Jarinje.
Ata janë kryesisht njerëz të moshuar mbi 65 vjeç nga Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku, ku jeton popullata shumicë serbe.
Radio Evropa e Lirë mëson se punëtorët shëndetësorë nga Qendra Spitalore Klinike në Mitrovicën e Veriut, e cila funksionon në kuadër të sistemit shëndetësor të Serbisë, gjithashtu po vaksinohen në Rashkë.
Drejtori i Qendrës, Zlatan Elek, i tha Radios Evropa e Lirë se ai nuk kishte informacione në lidhje me vaksinimin për së dyti të këtyre qytetarëve.
Në fund të dhjetorit, Serbia shpërndau në veri të Kosovës rreth 200 vaksina kundër koronavirusit.
Në atë kohë, Qeveria e Kosovës tha se nuk kishte informacione se vaksinat kishin hyrë nëpër rrugë zyrtare. Prokuroria Themelore në Mitrovicë autorizoi një hetim për këtë çështje.
Zëdhënësi i Prokurorisë, Valon Preteni, tha në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, se Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës për të mbledhur informata për këtë çështje, në lidhje me veprat penale të “kontrabandës me mallra” dhe “aktivitete të paligjshme mjekësore dhe farmaceutike”.
Ai tha se nuk mund të siguronte më shumë informacion në këtë moment.
Qeveria e Kosovës në detyrë njoftoi se ka siguruar rreth 500 mijë vaksina nga kompania Pfizer/BioNtech, dhe se vaksinimi në Kosovë do të fillojë në muajin shkurt.
Sidoqoftë, kompania Pfizer/BioNtech nuk ka konfirmuar se është arritur një marrëveshje, por që negociatat ishin duke u zhvilluar dhe se ato ishin sekrete.
Top Channel