Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka publikuar në platformën e re online “Open Data DPSHTRR”, të dhënat statistikore mbi mjetet rrugore të regjistruara për herë të parë në Shqipëri në vitin 2020.
Për herë të parë, platforma online “Open Data DPSHTRR” në faqen zyrtare www.dpshtrr.gov.al i ofron publikut akses në të dhëna statistikore dhe grafika të ngritura në trajtë shifrash dhe përqindjesh që ndihmojnë individët, subjektet dhe institucione të ndryshme për qëllime kërkimore dhe studimore. Ky shërbim risi synon transparencë në komunikim me qytetarët për të dhëna që merren nga sistemet e DPSHTRR. Të dhënat përditësohen në mënyrë të vazhdueshme.
Gjatë vitit 2020, rezultojnë të jenë regjistruar për herë të parë 52,361 mjete rrugore nga ku autoveturat përbëjnë 83% të numrit total të mjeteve, motomjetet 6% dhe automjetet për transport të përzierë 5%.
Regjistrimet për herë të parë të mjeteve rezultojnë të jenë kryer më së shumti në Drejtorinë Rajonale e Shërbimeve të Transportit Rrugor Tiranë (39%), ndjekur nga DRSHTRR Durrës (15%) dhe DRSHTRR Fier (10%). Duke analizuar periudhën kohore të regjistrimeve të mjeteve për herë të parë, vihet re një mesatare prej 3,339 mjete të regjistruara në muaj gjatë 6-mujorit të parë të vitit ku ndikim te ndjeshëm kanë muajt e karantinës (periudha Mars-Prill), ndërkohë që gjatë 6-mujorit të dytë, numri mesatar i mjeteve të regjistruara në muaj rezulton 5,388 mjete ose +61%.
Gjithashtu, vihet re që gjatë vitit 2020, rezultojnë të regjistruara për herë të parë 43,661 autovetura, të kategorizuara në 68 marka të ndryshme mjetesh. Vihet re që marka më e preferuar në vitin 2020 është “Volkswagen” (21%), e ndjekur nga “Mercedez-Benz” (17%) dhe “Ford” (10%).
Autoveturat e prodhuara gjatë periudhës kohore 2010-2020, zënë 29% ndaj numrit gjithsej të autoveturave të regjistruara gjatë vitit 2020, autoveturat e prodhuara gjatë periudhës kohore 2005-2009 zënë 63% dhe autoveturat e prodhuara para vitit 2005, përbëjnë 8%.
Për më shumë informacione, mund të vizitohet faqja zyrtare e DPSHTRR: www.dpshtrr.gov.al
Top Channel