Mauricio Pochettino fiton trofeun e tij të parë si trajner i Paris Saint Germaini.
Skuadra e tij triumfoi në Superkupën e Francës teksa mposhti Olympique të Marseille 2-1, që është edhe titulli i parë sezonal për skuadrën pariziene. Për Paris Saint Germainin kjo është hera e 10-të që e fiton Superkupën e Francës.
Sfida filloi me një rast shumë të mirë të Icardit gjuajtja e të cilit me kokë përfundoi vetëm pak centimetra larg portës së Mandandas, ndërsa në krahun tjetër ishte Navas që nuk lejoi Marseille të shënonte me Kamara. Më pas parizienqët panë që t’u anuloheshin 2 gola me Icardin e Mbappe nga sistemi VAR që të dy për pozicion jashtë loje, por në minutën e 39 skuadra e Pochettinos mori avantazhin me anë të Mauro Icardi, i cili pak minuta më vonë u ndal nga tramversa në tentativën e tij për golin e dytë.
Në pjesën e dytë pas një fillimi të vrullshëm të Marseille, u pa që PSG po e administronte mirë avantazhin dhe në minutën e 85, kampionët e Francës fituan një 11 metërsh që u shndërrua në gol nga Neymar, ndërkohë që në të 90 minuta, Payet vetëm sa shkurtoi diferencën për Marseille duke bërë që rezultati të shkojë në 2-1 për parizienët.
Top Channel