Dikur Vjosa Osmani u bënte thirrje qytetarëve që ta votojnë atë për Kryeministre, si e vetmja grua në përballje me kandidatët e tjerë Albin Kurtin, Kadri Veselin, Ramush Haradinajn e Fatmir Limaj.
Por, pas largimit nga LDK-ja e në pamundësi për të krijuar parti për zgjedhjet e 14 shkurtit, Osmani ka vendosur që të jetë pjesë e listës së deputetëve të LVV-së, të cilët synojnë që kryeministër ta bëjnë Kurtin.
Në këmbim të kësaj, ashtu siç kishte raportuar Top Channel javën e kaluar, Osmani po kërkon që të jetë Presidente legjitime e vendit, pas përfundimit të mandatit si ushtruese e detyrës, për çka shprehet e bindur se do t’i kenë 81 vota.
Në konferencën e përbashkët në hollin e kuvendit, ku Osmani gjatë gjithë kohës e ka quajtur kryeministër, lideri i Vetëvendosjes nuk ka treguar nëse vendin e tij do ta zë Osmani në rast se KQZ-ja e përjashton nga lista e deputetëve, pasi ndaj tij rëndon dënim i formës së prerë.
Kurti po ashtu ka refuzuar të dalë në debat publik përballë kundërshtareve, duke thënë se 14 shkurti është referendum.
Top Channel ka siguruar edhe marrëveshjen e nënshkruar mes tyre prej 10 zotimesh në mesin e tyre për luftimit të korrupsionit, krimit të organizuar, vettingut, angazhim anëtarësim në BE, NATO e organizata të tjera ndërkombëtare.
Top Channel