Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës I cili synon të marrë postin e presidentit të vendit, ka kërkuar debat televiziv me Vjosa Osmanin, kandidaten për presidente nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Të nderuar qytetarë, në 14 shkurt ju do të vendosni kush do të udhëheqë në Kosovë, jo vetëm me parlamentin, qeverinë dhe kryeministrin, por edhe presidentin e vendit. Tani, pas kandidaturës sime të shpallur kohë më përpara, kemi edhe kandidaturën e zonjës Vjosa Osmani, që do t’ju tregojë ju se si do ta ruajmë Kosovën tonë, të paprekshme, që do ta angazhojmë Kosovën tonë në NATO, BE, OKB, dhe si do të ndihmojmë që Kosova të fuqizohet në planin e brendshëm dhe të jashtëm. Unë e ftoj kandidaten, Vjosa Osmani, në një debat televiziv dhe e mirëpres këtë mundësi që të debatojmë së bashku për ju”, ka thënë ai në një video të publikuar në Facebook.
Osmani shpalli kandidaturën e saj për presidente pas zyrtarizimit të marrëveshjes me Lëvizjen Vetëvendosje. Së bashku me Albin Kurti, ajo nënshkroi istën e përbashkët për garën në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit në Kosovë. Nga kjo listë, garës për kryeministër ka thënë se do t’i bashkohet Albin Kurti. Në korrik të vitit të kaluar, Osmani u shkarkua nga postet drejtuese të LDK-së. Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së mori këtë vendim pas propozimit të liderit të partisë, Isa Mustafa sipas te cilit, Osmani kishte shkelur statusin e partisë, kur u shpreh kundër qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti.
Top Channel