Hapet rruga e shkarkimit të Trump/ Presidenti i parë amerikan që i nënshtrohet dy herë “impeachment”

14/01/2021 00:44

Dhoma e Përfaqësueve në SHBA arriti mjaftueshëm vota për t`i dhënë dritën jeshile procedurave të shkarkimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për herë të dytë gjatë presidencës së tij. Rezoluta që ngjalli në sallë diskutime të zjarrta e akuzon Trumpin për “nxitje të kryengritjes”, e lidhur kjo me rolin e tij gjatë sulmit mbi Capitol Hill javën e kaluar, ku humbën jetën 5 persona, një prej të cilëve polic.

“ Debatuam për një masë historike në një skenë aktuale krimi, dhe nuk do të arrinim deri këtu nëse nuk do të ishte presidenti i Shteteve të Bashkuara”, deklaroi ligjvënësi demokrat, Jim McGovern. Ai e akuzoi Trumpin për “rritje të zemërimit të turmës së dhunshme” dhe tha se “ështe mrekulli që nuk kanë vdekur më shumë persona”.

“Nuk do ta harroj kurrë çfarë kam parë kur kam shikuar në sytë e atyre sulmuesve në këto hapësira. Kam parë djallëzi”, u shpreh McGovern. Trumpi akuzohet për një fjalim që bëri javën që shkoi, e që u pa gjerësisht si nxitje për trazirat që rezultuan me sulmin mbi Kongresin. Nuk është e qartë nëse udhëheqësit e Dhomës së Përfaqësuesve do t’i dërgojnë menjëherë akuzat për shqyrtim në Senat, duke pasur parasysh që mandati i Trump përfundon javën e ardhshme. Edhe nëse zoti Trump do të largohej nga detyra, një vendim i Senatit pro akuzave pas përfundimit të mandatit, do ta ndalonte atë të kandidonte për një post zyrtar në qeverinë federale në të ardhmen.

ërpara votimit të rezolutës të martën, zëvendësipresidenti Mike Pence i dërgoi një letër kryetares së Dhomës së Përfaqësueve, Nancy Pelosi duke shpjeguar se ai nuk do të merrte veprime bazuar në Amendamentin e 25-të të Kushtetutës së SHBA, sipas të cilit nënpresidenti dhe shumica e anëtarëve të kabinetit deklarojnë një president të paaftë duke e shkarkuar atë nga detyra.

Top Channel