Greqia po kërkon nga Turqia që të marrë mbrapa rreth 1.500 persona, të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil. Athina u bëri thirrje autoriteteve të Bashkimit Evropian që të zbatojnë më me përpikëri një marrëveshje të cilën BE-ja e ka arritur me Turqinë në vitin 2016 për çështjen e migrantëve, raporton AFP.
Ministri grek i Migracionit, Notis Mitarachi, tha se qeveria e tij kishte paraqitur një “kërkesë” në Komisionin Evropian – krahun ekzekutiv të BE-së – dhe agjencinë kufitare Frontex “për kthimin e menjëhershëm në Turqi” të pak më pak se 1,500 “shtetasve të vendeve të treta që nuk kanë të drejtë mbrojtje ndërkombëtare”.Marrëveshja BE-Turqi mundësoi ndaljen e rrjedhës së migrantëve në Evropë.
Ankaraja kishte marrë përsipër të pranonte përsëri migrantët që nuk kishin të drejtë për mbrojtje ndërkombëtare, në këmbim të miliarda eurove ndihmë.Por, prej kohësh, Turqia ka akuzuar BE-në për mospërmbushjen e zotimeve. Rreth 3.6 milionë refugjatë sirianë gjenden në Turqi.”Evropa duhet të krijojë një mekanizëm të përbashkët për të adresuar këtë çështje brenda Paktit të ri të Migracionit dhe Azilit, si dhe zbatimin e mekanizmit të nevojshëm ligjor”, tha Mitarachi përmes një deklarate.
Në vitin 2020 janë bërë vetëm 139 kthime të azilkërkuesve, përpara se Turqia të ndalonte procesin në mars, për shkak të pandemisë së koronavirusit, thanë autoritetet greke.BE-ja në dhjetor tha se i kishte ndarë Turqisë gjashtë miliardë euro të premtuara në vitin 2016. Paratë e BE-së janë caktuar për projekte të veçanta sociale brenda Turqisë për të ndihmuar refugjatët dhe ato nuk do t’i paguhen drejtpërdrejt qeverisë turke.
Top Channel