Italia nis mega-gjyqin mafioz të Ndrangheta-s në Kalabri, me 350 të akuzuar në sallën e posaçme (fotot)

13/01/2021 16:20

Gjyqi më i madh i mafias italiane në më shumë se 30 vjet ka nisur sot teksa qindra anëtarë të grupit ‘Ndrangheta’ dolën në bankat e të akuzuarve.

Gjyqi do të ketë 355 të akuzuar, 400 avokatë e 900 dëshmitarë të akuzave të vrasjeve, trafikut të drogave, pastrimit të parave dhe abuzimit me pushtetin.

Prokurorët thonë se kjo bandë është infiltruar në çdo aspekt të jetës në rajonin italian të Calabria, ku po zhvillohet edhe gjyqi, që prej bashkisë, spitaleve, varrezave e gjykatave, në një perandori të shpërndarë nga Australia në Kanada, Gjermani e SHBA, madhe duke bërë biznes edhe me kartelin Sinaloa të El Chapo-s.

Ish-senatori italian Giancarlo Pittelli është mes të akuzuarve si ndërmjetës mes Ndrangheta dhe botës së politikës, bankave e institucioneve të tjera të fuqishme.

Gjyqi drejtohet nga prokurori i famshëm italian anti-mafia Nicola Gratteri, 62 vjeç, i cili teksa vinte sot në gjykatë refuzoi thirrjet se është një “njeri i vdekur që ecën”.

Gratteri tha: “Disa dekada më parë, njerëzit dridheshin kur përmendej Cosa Nostra apo ‘Ndrangheta, ndërsa sot ata mund të flasin hapur për to, në dritën e diellit.”

“Dy vitet e fundit kemi parë një rritje të denoncimeve nga qytetarë, biznesmenë, viktima të fajdeve, të cilët prej vitesh kanë qenë viktima të ‘Ndrangheta,’”.

Ai më vonë u ul në qendër të dhomës masive të gjyqit pranë gjykatëses Tiziana Macri, e cila lexoi emrat e të akuzuarve. Të akuzuarit nuk ishin prezentë por në lidhje direkte dhe fytyrat e tyre tregoheshin nga ekranet e shumta që ishin rreshtuar mbi tavolinat gri.

Ndragetta besohet se ka gjeneruar rreth 50 miliardë euro çdo vit, sipas Gratteri, i cili e quante organizatën më të pasur në botë të këtij lloji.

Gratteri ka kaluar dekada duke luftuar mafian italiane dhe është përballur me shumë kërcënime.

Në një telefonatë të interceptuar mes dy mafiozëve, Gratteri përshkruhej si “njeri i vdekur që ecën”, sipas Wall Street Journal.

Top Channel