Zgjerimi i ujërave territorialë me 12 milje/ Sot nis diskutimi në parlamentin grek, Ministri Dendias do të paraqesë projektligjin me 5 nene

12/01/2021 10:35

Projektligji për zgjerimin e ujërave territorialë nga 6 në 12 milje në Detin Jon do të fillojë diskutimet sot në parlament. Ministri i Jashtëm, Nikos Dendias do të paraqesë projektligjin në orën 12:00 në Komisionin komponent për Mbrojtjen dhe Punët e Jashtme.

Projektligji, i cili përbëhet nga një total prej 5 nenesh do të ndjekë një procedurë të rregullt parlamentare për t’u votuar më 19 Janar.

Mediat greke thonë se ky projektligj po futet për diskutim në parlament në një moment kritik pasi është vendosur se do të nisin bisedimet me Turqinë më 25 Janar në Stamboll, pas një periudhe të gjatë tensioni të shkaktuar nga sjellja ekstreme e palës turke.

Cilat janë 5 nenet? Në veçanti tek neni i parë përcaktohet zona ku zbatohet  që ka të bëje me Detin Territorial,  nga pika më veriore e të Ishujve Jon deri në Kepin Tainaro në Peloponez. Bëhet e qartë se zona e mësipërme përfshin brigjet kontinentale të territorit grek, si dhe ishujt dhe shkëmbinjtë e saj sipas Nenit 121 të Konventës së Kombeve të Bashkuara të 1982 mbi Ligjin e Detit.

Në paragrafin e dytë theksohet se Greqia  rezervon të drejtën të ushtrojë të drejtat e saj përkatëse në rajonet e tjera të territorit të saj,si ato rrjedhin nga Konventa për Ligjin e Detit.

Neni i dytë dhe ai i tretë, i referohen  shtrirjes së Detit Territorial që përcaktohet në 12 milje të cilat llogariten  nga vija bregdetare dhe vija bazë pas mbylljes së gjireve.

Neni i katërt përfshin peshkimin nga anijet e peshkimit të BE-së për të cilat deklarohet se mund të lejohen në zonën detare që përcakton neni 1 dhe në ujërat e Detit Territorial midis 6 dhe 12 miljeve detare mbi baza të përkohshme, me vendime të Ministrisë së Zhvillimit Rural dhe Ushqimit dhe për periudhën e përcaktuar në këto vendime, siç përcaktohet në pikën 5 të nenit 4 të Rregullores së BE-së 1380/2013.

Projektligji përfundon me nenin pesë, i cili thotë se hyrja në fuqi e këtij ligji fillon me botimin e tij në fletoren zyrtare.

Top Channel