Vdekja e Sheldon Adelson/ Influenca e gjerë e financierit të kazinove te presidenti Trump dhe republikanët në SHBA (Fotot)

12/01/2021 21:23

Sheldon Adelson, manjati i kazinove, donatori kryesor i Donald Trump e kauzave të tjera republikane në SHBA, si dhe kundërshtari i betuar i zgjidhjes me dy shtete të konfliktit kryesor të Lindjes së Mesme, ka vdekur sot në moshën 87 vjeçare.

Influenca e Adelson ka qenë faktori kryesor i politikës së patundur të Trump në mbështetje të Izraelit, duke përfshirë dhe njohjen e Jerusalemit si kryeqytet i vendit dhe vendosjen atje të ambasadës së SHBA, vendim që është kundërshtuar nga Evropa, bota arabe e vende të tjera.

Në deklaratën e sotme të gruas së Adelson, Dr Miriam Adelson, thuhet se pronari i kazinosë sa famshme Las Vegas Sands vdiq nga “komplikacione të një sëmundjeje të gjatë”. Ndërsa një gazetë në Nevada në pronësi të Adelson tha se shkaku i vdekjes është kanceri ‘limfoma’non-Hodgkin, të cilin Adelson e ka pasur që në 2019.

Adelson kishte lindur në 1933 i rritur në Boston, me baba hebre ukrainas, shofer taksie në Nju Jork.

Si pronar i rezorteve gjigande të kazinove Venetian e Palazzo në Las Vegas, i Venetian Macau në Kinë dhe rezortit Marina Bay Sands në Singapor, ai ishte një nga njerëzit më të pasur të botës me një pasuri të llogaritur në të paktën 35 miliardë dollarë.

Në fushatën e vitit 2020, familja Adelsons vendosi një rekord të ri për “dhuratat”, duke ‘hedhur’ në fushatën e Trump dhe disa republikanëve të tjerë të paktën 180 milionë dollarë, sipas rrjetit amerikan të financimit të fushatave, Open Secrets.

Adelson-ët kanë qenë donatorët më të mëdhenj në çdo fushatë madhore në SHBA, teksa donacionet e tyre politike arrijnë një totale prej të paktën gjysmë miliardë dollarë, shkruan Open Secrets.

Në deklraatën e tij të djeshme presidenti Trump tha se Adelson “jetonte ëndrrën e vërtetë amerikane”. Presidenti ka pranuar rolin e tij në zhvendosjen e ambasadës së SHBA në Jeruzalem dhe për njohjen e sovranitetit të Izraelit për territoret e Lartësive Golan, të pushtuara nga Siria.

Ndërsa ish presidenti George W Bush tha: “Unë dhe Laura mbajmë zi për ndarjen nga jeta të një miku të vërtetë.”

Adelson njihej për taktikat e përçarjes së lëvizjeve sindikaliste në kazinotë e tij.

Në 2015, si pjesë e një padie të ngritur nga një punonjës i shkarkuar padrejtësisht, Adelson ka qëndruar katër ditë në gjykatë duke mbrojtur perandorinë e tij të biznesit nga akuzat e rryshfetit dhe lidhjes me krimin e organizuar në Kinë.

Megjithse ishte fillimisht skeptik ndaj Trump, të cilin e njihte si një biznesmen të dështuar në fushën e kazinove, Adelson u përfshi në fushatën e tij në 2016. Që fillimit të viteve 2000 ai kishte prioritet politikanët amerikanë që kundërshtonin pranimin e shtetit të Palestinës, edhe pse nuk e kishte ende të qartë se cili ishte qëndrimi i Trump mbi çështjen.

Por së fundmi prioritetet e Adelson dhe Trump u pershtaten prej lidhjeve familjare siç është dhëndri hebre i presidentit Jared Kushner, apo dhe kryeminsitri hebre Benjamin Netanyahu, të cilin Adelson mbështeste prej kohësh.

Adelson adhurohej në të gjithë spektrin politik amerikan për mbështejen ndaj izraelit dhe grupeve e organizatave hebreje apo sioniste.

Ai është ngritur lart nga nacionalistët për mbështetjen ndaj kolonive të reja izraelite në tokat e pushtuara palestineze, që konsiderohen ilegale nga shumica e shteteve të civilizuara të botës. Një shkollë mjekësore në një komunitet izraelit në zonën e pushtuar të Bregut Perëndimor, mban emrin e Adelson.

Kryeministri i vjetër dhe aktual izraelit Netanyahu, ka qenë i preferuar i Adelson. Ai ka publikuar një gazetë falas të quajtur Israel Hayom në vitin 2007 në mbështetje të vetes e cila sot është gazeta me qarkullimin më të madh në vend.

Netanyahu tha se ndjente “thyerje të zemrës” kur dëgjoi për vdekjen e Adelson. Lajmi ishte një goditje për kryeministrin i cili përballet me zgjedhje në mars, edhe pse gruaja e Adelson konsiderohej prej kohësh si figurë kryesore në vendimet e familjes.

“Bashkë me të shoqen Miri, Sheldon ishte një nga kontribuesit më të mëdhenj në historinë e popullit hebre, sionismit dhe kolonive të reja të Izraelit”, tha Netanyahu duke përdorur emrin e shkurtër të bashkëshortes së financierit, Miriam.

Në 2018, Trump i ka dhënë Miriam Adelson nderimin më të lartë për një civil në SHBA, medaljen e lirisë – që e kanë marrë vetëm Elvis Presley e legjenda e bejsbollit Babe Ruth.

Megjithse Adelson ndryshoi politikën e tij me paratë për republikanët, simpatia e tij për Trump duket se kishte mbaruar me humbjen e zgjedhjeve në nëntor.

Në vitin 2015, Adelson mori fshehtas kontrollin e të përditshmes Las Vegas Revieë, pasi gazeta kishte publikuar investigime mbi perandorinë e tij të biznesit. Por në nëntor ajo refuzoi të kërkesën e Trump për të mohuar fitoren e Joe Biden në shtetin e Nevada, duke bërë që Trump të pranonte rezultatin. /The Guardian/ përgatiti: Andi Lamko/

Top Channel