Situata e përmbytjeve në Shkodër/ Disa akse ende të bllokuara, 960 hektarë nën ujë!

12/01/2021 18:58

Pas disa ditësh reshje shiu, kjo e martë ka sjellë përmirësim të kushteve atmosferike në disa zona të vendit. Në disa prej qyteteve nuk raportohet për problematika të shkaktuara nga reshjet.

Ndërsa në një prej qyteteve më të goditura, pas monitorimeve periodike në terren, bashkia e Shkodrës njofton se vazhdon të jetë e bllokuar rruga për në Obot për mjetet e ulëta. Niveli i ujit mbi rrugë arrin mbi 80 cm.

Gjithashtu, ujësjellësi Oblika 1 si pasojë e përmbytjeve është jashtë funksionit. Kështu, UKSH ka furnizuar me ujë te pijshëm banore të fshatit Oblikë.

Sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 960 Ha, kryesisht në fshatrat Obot, Muriqan dhe Oblikë.

Për shkak të rritjes së nivelit të ujit është bllokuar segmenti në vendin e quajtur Urrelat që lidh fshatrat Shirq me Darragjat.

Në njoftimin e bashkisë thuhet gjithashtu se vazhdon gërryerja e tokës bujqësore nga lumi Drin në vendin e quajtur Mali i Vukatanit, fshati Ganjollë.

Si pasojë e reshjeve ka shkarje dherash në rrugën Baks –Rrjoll, ku po punohet për pastrimin.

Po ashtu vazhdon gërryerja e tokës bujqësore nga lumi Kir në vendin e quajtur Bardhaj, fshati Bardhaj. Gjithashtu ka rritje të nivelit të ujit nga Liqeni i Shkodrës, në zonën e Livadeve dhe Dobraç.

Janë magazinuar dhe janë gati për shpërndarje tek ndërtesa e konviktit Shkolla Industriale “Arben Broci” 300 pako me ushqime, mbështetje për të siguruar ushqimin për familjet në zonat e përmbytura. Po ashtu, më fshatin Shirq janë magazinuar dhe nesër ne mëngjes fillon shpërndarja sipas listës përfituese të hartuar nga Administratori i Nj. Adminstrative Dajç rreth 28 ton misër donacion. Edhe në fshatin Obot, Muriqan (lagjia Goricë) janë magazinuar dhe nesër në mëngjes fillon shpërndarja sipas listës përfituese të hartuar nga Administratori i Nj. Adminstrative Ana e Malit 8 ton misër donacion.

RAPORTI PER EMERGJENCAT DATE 12.01.2021 ORA 17.30

Top Channel