Osmani për dialogun me Serbinë: Të presin të krijojmë institucionet e reja

12/01/2021 18:22

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se dialogu me Serbinë nuk mund të vazhdojë derisa të përmbyllet procesi zgjedhor në Kosovë dhe të krijohen institucionet e reja.

Ajo u shpreh se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Qeveria në detyrë e Kosovës nuk ka më legjitimitetin të negociojë në emër të Kosovës.

“Legjitimitet të tillë nuk mund të ketë as ndonjë i deleguar nga një qeveri e tillë”, tha Osmani. Keto komente, presidentja në detyrë i bëri në Bruksel, ku zhvilloi takime me presidentin e Parlamentit Evropian, David Sasolli, dhe me Komisionarin për Fqinjësi dhe Zgjerim të BE-së, Oliver Verhelyi.

Osmani e bëri të qartë se askush në Kosovë nuk është kundër dialogut, por vendi duhet të ketë “një qëndrim unik, i cili duhet të jetë në përputhje me interesat e Kosovës, duke respektuar edhe kufijtë e saj”.

Sipas saj, një legjitimitet i plotë për dialog nga ana e Kosovës është i domosdoshëm edhe për zbatimin e suksesshëm të marrëveshjeve të cilat do të arriheshin në dialogun e Brukselit. Pas takimeve me zyrtarët e lartë evropiane, Osmani theksoi po ashtu se u rikujtoi atyre pritshmëritë e qytetarëve të Kosovës që Bashkimi Evropian të përmbushë premtimet për liberalizim të vizave.

Top Channel