Gorillat me koronavirus/ Infektim në kopshtin zoologjik te San Diegos

12/01/2021 12:47

Disa gorilla në kopshtin zoologjik të San Diegos në SHBA, kanë rezultuar pozitive me koronavirus dhe disa prej tyre kanë shfaqur edhe simptoma. Ky besohet se është shpërthimi i parë mes primatëve të këtij lloji.

Drejtuesit e kopshtit thanë se tetë gorilla që jetonin bashkë besohet se kanë virusin dhe disa prej tyre kanë edhe kollë.

Guvernatori i Kalifornisë konfirmoi ndërkohë se të paktën dy prej gorillave kishin rezultuar pozitivë ndërsa tre ishin me simptoma.

Duket se infektimi ka ardhur nga një pjesëtar i stafit që kujdeset për kafshët që po ashtu ka rezultuar pozitiv për virusin por ka qenë asimptomatik.

Veterinerët po mbajnë tani nën monitorim gorillat, që do të qëndrojnë në habitatin e tyre në park. Përveç një lloj lodhjeje dhe kollës, gorillat janë mirë. Ata sipas drejtuesve po mbahen në karantinë së bashku dhe po ushqehen mirë.

Transmetimi mes specieve ka qenë një pikë shqetësuese për Covid 19 që sipas zyrtarëve e ka origjinën nga një lakuriq nate.

Mbetet e paqartë se cilat kafshë mund të infektohen, me një numër të vogël qensh shtëpiakë dhe macesh që janë sëmurë në disa vende. Në kopshtet zoologjike, ka pasur raste të infektimit të tigrave dhe luanëve.

Top Channel