Ford “e mbyll” me Brazilin/ “Pas një shekulli, i vëmë kyçin fabrikave atje!”

12/01/2021 20:59

Prodhuesi amerikan i makinave Ford njoftoi se do t’i mbyllë të treja fabrikat e mbetura në Brazil, duke u dhënë fund dekadash të tëra pranie të tij në këtë vend.

Gjiganti i prodhimit të automjeteve fajësoi pandeminë e koronavirusit, e cila siç tha, i ka zvogëluar akoma edhe me tej shitjet dhe ka rritur “humbjet e konsiderueshme” në rajon. Rreth 5,000 persona, kryesisht në Brazil, pritet të humbasin vendet e punës. Vendimi është pjesë e një ristrukturimi global të Fordit, i cili po përpiqet të përmirësojë performancën e tij financiare.

“Pas më shumë se një shekulli në Amerikën e Jugut dhe Brazil, ne e dimë se këto janë veprime shumë të vështira, por të domosdoshme për të krijuar një biznes të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm”, tha shefi ekzekutiv i Fordit, Jim Farley.

Kompania e ka hapur fabrikën e saj të parë të montimit në Brazil në vitin 1920. Ajo ka shkurtuar qindra vende pune vitin e kaluar, për shkak të rënies së shitjeve, si pasojë e koronavirusit.

Top Channel