Pas një viti tensionesh me Bashkimin Evropian, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan zbuti tonet duket deklaruar se dëshiron të përmirësojë marrëdhëniet me bllokun, dhe shpreson që nga Brukseli të ketë të njëjtin vullnet.
Pjesë e rëndësishme e përplasjeve të mëdha gjatë kësaj periudhe ka qenë politika e jashtme e Ankarasë dhe këmbëngulja e saj për të kërkuar burime hidrokarburesh në Mesdheun Lindor, qëndrime këto që e vunë në kurs të fortë e përplasjeje me Greqinë, por edhe me Francën. Por Erdogan tani shfaqet i gatshëm të tërhiqet, me qëllimin që sic tha, Mesdheu Lindor, të shndërrohet nga një “zonë konkurrence”, në një “basen bashkëpunimi”. Ai shtoi se Turqia ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në furnizimin e Evropës me energji përmes projekteve të saj. presidenti turk iu rikthye edhe një herë çështjes së anëtarësimit të vendit të tij në BE, të bllokuar prej shumë kohësh tashmë.
“Pranimi i Turqisë në BE si vend anëtar do të ishte një zgjidhje logjike për bllokun, dhe do të ndihmonte të zbutej hendeku i krijuar nga largimi i Britanisë së Madhe. Duke ndërmarrë iniciativa në Lindjen e Mesme, sidomos Siri e Libi, Turqia kontribuon në sigurinë e Bashkimit Evropian”, tha Erdogan.
Edhe më herët, Erdogan e kishte theksuar se Turqia e ka prioritet BE-në në axhendën e saj dhe e sheh të ardhmen e vet në Evropë. Ky ndryshim i fortë qëndrimi vjen pak pasi Turqia dhe Greqia pranuan të rinisin bisedimet e ndërprera në 2016. Dy palët ranë dakord të ulen sërish në tryezën e negociatave në 25 janar në Stamboll. Një rol të rëndësishëm ndërmjetësues luajti në këtë mes kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili ka udhëtuar dy herë këto kohë drejt Ankarasë e Athinës.
Top Channel