Bulqizë/ 30 banorë të fshatit Shupenzë janë helmuar, dyshohet se shkak është uji i pijshëm i ndotur

12/01/2021 14:20

Banorët e Shupenzës në Bulqizë thonë se tubacionet kanë 30 vjet pa u rregulluar dhe tubacionet e ujërave të bardha janë përzierë me ujërat e zeza.

Nuri Dema, banor i Shupenzës tregoi për “Shqipëria live”: “Kam tre ditë me dhimbje barku dhe të vjella. Edhe familjarët e mi po ashtu. Shumë banorë në fshat u helmuan dhe u shtruan në spital. Ky problem filloi kur nisën reshjet, uji vjen i turbullt dhe me pisllëqe”.

Disa nga qytetarët shfaqën edhe simptoma të Covid. Dema thotë: “Më thanë në spital që mund të kem Covid. Po 30 persona nuk u infektuan menjëherë. Janë simptoma të tjera, duket që është helmim. Ne e përdorimin ujin që vjen nga Ujësjellësi për të pirë dhe për të gatuar. Tani po mbushim ujë në një fshat tjetër”.

Ndërrmarja e ujësjellësit ka marrë disa kampione për të parë nëse helmimi vjen nga uji.

Sipas banorëve rrjeti i ujësjellësit është i amortizuar dhe i çarë në disa pjesë.

Top Channel