Arrestohet me forcë bashkëshorti i ish-ministres Besa Shahini (Fotot)

12/01/2021 14:31
Momenti i arrestimit të Dardan Molliqajt

Kreu i Partisë SocialDemokrate në Kosovë në të njëjtën kohë edhe bashkëshorti i ish-ministres së Arsimit në Shqipëri, Dardan Molliqaj është arrestuar me forcë në afërsi të stacionit policor në qendër të Prishtinës.

Bashkë me të, janë arrestuar edhe 15 aktivistë të tjerë të PSD-së, të cilët po protestonin afër stacionit policor. Në muret e ndërtesës ata kishin shkruajtur “Trajtim selektiv të Policisë”.

Në disa fotografi të publikuara në Facebook nga PSD-ja, shihet se palltoja e Molliqajt është shqyer gjatë arrestimit të tij.

PSD i ka cilësuar të padrejta e të papranueshme arrestimet, duke shkruar se “Kur zbatimi i ligjit është selektiv, ai gjithmonë shkon në dobi të të fortit e në kurriz të të dobëtit”.

“Gjatë aksionit të sotëm simbolik për të shpërfaqur hipokrizinë e institucioneve të Kosovës karshi qytetarëve të saj, të cilët shqiptuan gjoba në vlerë prej 3 milion eurosh për qytetarët e gati asnjë për tubimet e partive politike, aparati policor shtetëror ndërhyri dhunshëm për ta ndërperë aksionin duke arrestuar aktivistët e PSD-së”, shkruhet në reagimin e PSD-së.

FOTO GALERI
1/12

Top Channel