​Kosovë/ Përgatitjet për zgjedhje, subjektet politike ftohen të respektojnë masat antiCOVID

12/01/2021 14:16

Policia e Kosovës, në kuadër të përgjegjësive institucionale dhe ligjore, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të realizimit me sukses të detyrave për procesin zgjedhor.

Kështu u tha sot në një takim të kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti dhe ushtruesit të detyrës së kryeshefit të Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinës, Naser Krasniqi.

Në emër të KQZ-së, kryetarja Daka çmoi lart angazhimin e Policisë së Kosovës në aspektin e sigurisë në proceset e kaluara zgjedhore, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim ndërinstitucional me qëllim të zbatimit të ligjit.

Në anën tjetër, u. d. së drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti tha se në kuadër të përgjegjësive institucionale dhe ligjore do të ndërmarrin veprimet e nevojshme me qëllim të realizimit me sukses të detyrave për procesin zgjedhor.

Gjithashtu, Mehmeti dhe Krasniqi shtruan edhe çështjen e respektimit të masave antiCOVID gjatë fushatës zgjedhore. Në lidhje me këtë çështje, subjektet politike u apeluan nga autoritetet ligjzbatuese që të respektojnë masat antiCOVID në mënyrë që të kujdesen për parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundje të rrezikshme.

Në takim u tha se Policia e Kosovës dhe Inspektorati (AUV) do të vazhdojnë të zbatojnë ligjin antiCOVID pa asnjë dallim.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Policia e Kosovës janë në fazën e përgatitjes së planit operacional të sigurisë për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 14 shkurt.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA