Pak pasi “twitter” pezulloi përgjithmonë llogarinë e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, ai tha se nuk do të hesht dhe sugjeroi hapjen e një platforme të re.
Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë, që u largua shpejt nga llogaria @POTUS në twitter, presidenti në largim pretendoi se “twitter” ka punuar me “demokratët dhe majtistët radikal” për të heshtur atë dhe mbështetësit e tij.
“Parashikova që kjo do të ndodhte. Ne kemi negociuar me faqe të ndryshme të tjera dhe do të kemi një njoftim të madh së shpejti, përderisa ne po ashtu shikojmë mundësitë e ndërtimit të platformës sonë në të ardhmen e afërt. Ne nuk do të heshtim”, tha Trump.
“Twitter” nuk ka të bëjë me lirinë e fjalës. Ato kanë të bëjnë me promovimin e një platforme radikale të majtë, ku disa nga njerëzit më të mbrapshtë në botë lejohen të flasin lirshëm”, shtoi presidenti.
Sot më herët, “twitter” pezulloi llogarinë e Trump-it, duke përmendur një rrezik të mëtejshëm të dhunës.
“Pas rishqyrtimit të ngushtë të posteve të fundit nga llogaria @realDonaldTrump dhe kontekstit rreth tyre, ne kemi pezulluar përgjithmonë llogarinë për shkak të rrezikut të nxitjes së mëtejshme të dhunës”, tha “twitter”.
Masa vjen pasi mbështetësit e presidentit në largim të mërkurën sulmuan Kongresin Amerikan, që rezultoi me vdekjen e pesë personave.
Trump nga shumë akuzohet për nxitje të mbështetësve të tij për të ndaluar Kongresin për të vërtetuar fitoren në zgjedhje të presidentit të zgjedhur, Joe Biden.
Top Channel