Rama vizitoi Athinën / Takimi me Mitsotakis dhe Dendias për raportet dypalëshe, zhvillimet në rajon dhe Covid

08/01/2021 19:40

Pas vizitës dy ditore në Ankara, kryeministri Rama udhëtoi drejt Athinës. Avioni qeveritar Albania u ul në aeroport e më pas kryeministri nisi takimin me ministrin e jashtëm grek Dendias, i cili e priti shefin e qeverisë shqiptare në selinë e ministrisë së jashtme.

Nga takimi që zgjati mbi tre orë, nuk u dhanë detaje por burime i thanë Top Channel se spektri i çështjeve të diskutuara ishte i gjatë që nga çëshjet dy paleshe deri tek ato rajonale. Mes Shqipërisë dhe Greqisë është ende pa mbyllur çështja e detit për të cilën të dyja vendet kanë rëndë dakord që të shkojnë në Hagë për ti dhënë një zgjidhje. Ndërkohë ka edhe çështje të tjera që janë në proces. Por së fundmi është përmendur edhe një ndërmjetësim i mundshëm që kryeministri Rama po bën në lidhje me tensionin greko turk. Fakti që Rama udhëtoi nga Ankaraja në Athinë në dy vizita shumë pranë njëra tjetrës i forcoi zërat për një proces të tillë.

Ministri Dendias bëri këtë koment në Twitter:

 “Unë u takova me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.  Marrëdhëniet bilaterale, perspektiva e Shqipërisë në BE dhe zhvillimet e fundit rajonale ishin në fokus

Ndërkohë takimi mes kryeministrave është zhvilluar kokë më kokë edhe me një drekë punë, ku ishin kryeministri Rama homologu grek Micotaqis dhe ministri i jashtëm grek Dendias.

Këto janë pamjet e përcjelljes së kryeministrit Rama nga vila e kryeministrit grek. Diskutimet janë vijuar edhe në momentin e fundit. Siç e shikoni ministri Dendias ka ende diçka për ti thënë kryeministrit shqiptar.

Nga ana e tij Rama bëri këtë deklaratë për vizitën disa orëshe në Athinë:

 “Falenderues për shijen e shkëlqyer të mikpritjes në shtëpinë e kryeministrit Mitsotakis, ku bëmë një bilanc të situatës me Covidin, marrëdhënies mes dy vendeve tona dhe problematikave rajonale! Vullnet i plotë për ta zhvilluar bashkarisht më tej këtë marrëdhënie strategjike”

Top Channel