Përmbytjet në vend/ Rama mbledh Komitetin e Emergjencave Civile, Braçe: Gatishmëri 24 orë në terren

08/01/2021 19:46

Situata e rënduar e reshjeve në vend, ku shumë qytete e fshatra janë përmbytur ka mbledhur Komitetin Ndërministrior të Emergjencave Civile mbrëmjen e sotme.

Zëvendës kryeministri i vendit, Erion Braçe tha se prej 5 ditësh ministrat, krerët e bashkive dhe prefektët e zonave kanë mbledhur shtabet e emergjencës për të qenë sa më afër qytetarëve. Ai thekson se  edhe sonte e në vijim do të kalojmë një natë të vështirë për shkak të reshjeve të parashikuara, por shtabet e emergjencës janë 24 orë në 24 në gatishmëri në terren prej ditësh tashmë.

“Prej 5 ditësh ministrat, prefektët  dhe krerët e bashkive kanë mbledhur shtabet e emergjencës civile. Ministrja e Bujqësisë ka qenë në territor nga veriu në jug, prej 3 ditësh të gjitha hidrovoret kanë qenë në gjendje gatishmërie dhe me kapacitet të plotë për të  sjellë në nivel normal zonat. Sot të gjitha akset janë në gjendje mjaft të mirë në sajë të Ministrisë së Transportit. Nuk ka munguar në asnjë minututë energjia elektrike. Menaxhimi i kaskadës së Drinit është në nivel normal. Kjo është arsyeja që sot që flasim kemi një situatë të kontrolluar plotësisht. Të gjitha agjencive nuk u ka munguar mbështetja financiare. Krerët e bashkive të zonave të konsideruara të rrezikshme kanë mbledhur shtabet e emergjencave. Sot situata ka qenë e vështirë për shkak të reshjeve, nuk ka pasur as edhe një rajon që s’ka pasur mbi 100 milimetra shi reshje, por sot është dhënë efekti veçanërisht në zonat më të goditura. Puna e kryer gjatë verës ka sjellë minimizimin e përmbytjes unë kam inspektuar pjesën nga Shkumbini deri në Vjosë. Sot kemi qenë për punë jo për fushatë elektorale duke mbuluar të gjithë zonën për shkak të reshjeve masive që kanë rënë. Nata do të jetë e vështirë, gatishmëria është 24 në 24 prej disa ditësh ndërkohë që fuqia e instaluar në hidrovore është aktive. Shpresojmë që situatën të vijojmë ta mbajmë nën kontroll”, tha Braçe.

 

Top Channel