Ligjvënësit amerikanë refuzojnë dy kundërshtime të rezultateve të zgjedhjeve presidenciale

07/01/2021 08:45

Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve kanë refuzuar një kundërshtim nga disa ligjvënës republikanë për të vërtetuar votat elektorale të Arizonës dhe Pensilvanisë.

Për votat elektorale të Arizonës, Dhoma e udhëhequr nga demokratët votoi 303-121 kundër masës. Një votë e ngjashme që refuzon kundërshtimin ndaj rezultateve të zgjedhjeve të Arizonës ndodhi më herët në Senatin e kontrolluar nga Republikanët, i cili votoi 93-6 kundër.

Disa senatorë republikanë të udhëhequr nga Josh Hawley i Misurit dhe Ted Cruz i Teksasit, së bashku me më shumë se 100 republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve, po bëjnë përpjekje për të kundërshtuar rezultatet nga një numër shtetesh.

Përpjekja republikane nuk ka pothuajse asnjë mundësi për të parandaluar presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Joe Biden nga marrja e detyrës sepse demokratët kontrollojnë Dhomën dhe mjaft republikanë kundërshtojnë përpjekjen.

Seanca e Kongresit vazhdoi pas rreth katër orësh trazira, pasi protestuesit e dhunshëm që mbështesin presidentin aktual të SHBA-së, Donald Trump sulmuan ndërtesën e Kongresit duke hyrë brenda.

Garda Kombëtare është mobilizuar për t’iu ofruar mbështetje zyrtarëve federalë të zbatimit të ligjit.

Një grua që është plagosur gjatë dhunës në Kongres, ka vdekur. Policia e Uashingtonit tha se tre persona të tjerë vdiqën nga “urgjencat mjekësore”.

Kur ligjvënësit iu rikthyen seancës, qindra mbështetës të Trumpit ishin ende në rrugët e Uashingtonit, përkundër pranisë së madhe të policisë dhe shtetrrethimit të shpallur nga ora 6 e pasdites.

“Për ata që bënë kërdi në Kongresin tonë sot: Ju nuk keni fituar. Le t’i kthehemi punës”, tha nënpresidenti Mike Pence.

“Ne do ta certifikojmë fituesin e zgjedhjeve të vitit 2020”, shtoi udhëheqësi republikan i Senatit, Mitch McConnell.

Për më shumë rreth zhvillimeve në Kongres, lexoni këtu.

Amendamenti i 12-të; Ligji 137-vjeçar
Procedurat për mënyrën se si mbahen zgjedhjet presidenciale përshkruhen në Kushtetutën e SHBA-së, në një amendament pasues dhe në një ligj të vitit 1887.

Anëtarët e një organi politik unik, të quajtur Kolegji Zgjedhor, zgjedhin zyrtarisht presidentin, duke hedhur votat që pasqyrojnë rezultatet e certifikuara të votave të popullit në secilin shtet dhe në Distriktin e Kolumbias.

Vota e Kolegjit Zgjedhor certifikohet më pas nga Kongresi i ri, që betohet pas Vitit të Ri dhe rreth dy javë përpara inaugurimit presidencial. Dita e inaugurimit, që është 20 janari, është e përcaktuar me Amendamentin e 12-të të Kushtetutës amerikane.

Seanca tradicionalisht udhëhiqet nga zëvendësi i presidentit që është ende në detyrë – në këtë rast Mike Pence.

Sipas rregullave, nënkryetari supozohet të ketë jo më shumë se një rol ceremonial – përfshirë hapjen e zarfeve që kanë votat e Kolegjit Zgjedhor dhe shpalljen e atyre rezultateve.

Top Channel