BE-ja pret që zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, të caktuara për 14 shkurt, të zhvillohen sipas standardeve evropiane.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian për zgjerim dhe fqinjësi, Ana Pisonero, e bëri të qartë se çfarë kërkohet saktësisht nga këto zgjedhje.

“Bashkimi Evropian pret zgjedhje të besueshme, transparente dhe gjithëpërfshirëse në Kosovë, të zhvilluara në përputhje me standardet evropiane, në mënyrë që vendi të ecë përpara”, tha Pisonero.

Ajo shtoi se “blloku do të vazhdojë të jetë i angazhuar në Kosovë, për të promovuar agjendën e integrimeve evropiane dhe reformave të domosdoshme”.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian përsërisin qëndrimin se “i takon popullit të Kosovës të zgjedhë lidershipin e vet” dhe se BE-ja do të punojë me institucionet e Kosovës në secilin aspekt, si në dialogun me Serbinë ashtu edhe në agjendën e reformave. Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, në 6 janar shpërndau kuvendin dhe shpalli zgjedhjet e reja, pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës publikoi aktgjykimin e plotë lidhur me zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës së udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Gjykata doli në përfundimin se ekzekutivi i Hotit ishte zgjedhur në mënyrë jokushtetuese. Shkak për këtë u bë vota e Etem Arifit, ndaj të cilit në kohën e votimit të qeverisë, në 3 qershor, kishte pasur një vendim të formës së prerë, për dënim prej një vit e tre muaj burgim, për veprën penale “mashtrim me subvencione”. Një ditë më parë, Vjosa Osmani shpalli datën e zgjedhjeve të reja, të caktuara të mbahen ne 14 shkurt.

Top Channel