Koreja e Veriut ka hapur kongresin e partisë në Phenian. Udhëheqësi Kim Jong Un po e shfrytëzon takimin disa ditor për të deklaruar një numër dështimesh ekonomike. Duke folur para mijëra delegatëve në sallën e kongresit në Phenian, zoti Kim pohoi se vendi nuk kishte arritur synimet që kishte parashtruar në planin pesë-vjeçar për periudhën që sapo përfundoi.

“Synimet që parashtruam nuk u arritën në një numër fushash,” tha zoti Kim në fjalimin e hapjes së Kongresit të tetë të Partisë së Punëtorëve, sipas medias shtetërore. Pesë vitet e fundit, tha zoti Kim, kanë qenë “të pashembullta” dhe “më të këqijat” për Korenë e Veriut. Ai tha se në përgjigje të situates vendi “do të forcojë fuqinë e tij dhe kapacitetet e mbështetjes në forcat e veta”.

Fotografitë e publikuara nga Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve tregonin mijëra pjesëmarrës të ulur pranë njeri-tjetrit në një sallë të madhe, pa respektuar distancimin fizik. Askush nuk shihej me maskë. Kjo është hera e dytë që Kim Jong Un kryeson kongresin e partisë që kur erdhi në pushtet në dhjetor 2011. Kongresi i sivjetshëm, i cili do të parashtrojë synimet për pesë vjetët e ardhshëm, përkon me një nga periudhat më të vështira në qeverisjen e zotit Kim.

Problemet Ekonomike

Ekonomia koreano-veriore ka kohë që vuan nën barrën e sanksioneve ndërkombëtare lidhur me programin bërthamor. Përveç tyre, një numër përmbytjesh shkatërrimtare kohët e fundit si dhe masat e izolimit në përgjigje të koronavirusit e kanë keqësuar situatën. Ekonomia e Koresë së Veriut mund të jetë tkurrur të pajtën 8.5% në 2020, sipas përllogaritjeve të firmës Fitch Solutions.

Një ndër arsyet kryesore është mbyllja e kufirit me Kinën, partnerja më e madhe ekonomike dhe shpesh herë shpëtimtare e Phenianit. Kufiri u mbyll në janar të vitit të kaluar pak pasi u identifikua koronavirusi në Kinë. Kjo çoi në një rënie prej 80% në shkëmbimet tregtare mes dy vendeve, sipas Shoqatës Koreane për Tregti Ndërkombëtare.

Mungesa në Furnizime

NK News, një portal mediatik me qendër në Seul që raporton kryesisht mbi Korenë e Veriut, njoftoi të martën “mungesa të ndjeshme dhe të vazhdueshme ushqimore” në Phenian, sidomos në dyqane ushqimesh që frekuentohen nga elita e vendit. Ndër artikujt që kanë munguar janë sheqeri, vaji i gatimit, pastë dhëmbësh të cilat “thuajse janë zhdukur” nga raftet e dyqaneve në Phenian, njofton NK News. Frutat dhe perimet e freskëta shiten me çmim pesë herë më të lartë se zakonisht, njofton portali mediatik.

Në një kohë që ka vënë në zbatim kufizime të forta në përgjigje të koronavirusit, Koreja e Veriut këmbëngul se nuk ka pasur në vend asnjë të infektuar, një pretendim që është hedhur poshtë nga ekspertë ndërkombëtarë të shëndetit. Koreja e Veriut është shumë i pambrojtur nga pandemia si vend i varfër me një infrastrukturë të vjetëruar shëndetësore dhe mungesë fondesh. Sipas një artikulli të gazetës Wall Street Journal, Koreja e Veriut ka bërë kërkesë për vaksina kundër COVID-19 nga Gavi, një aleancë ndërkombëtare qeverish, kompanish farmaceutike, organizatash bamirëse dhe qytetare që mundësojnë fushata vaksinimi në vende të varfra.

Udhëheqësit e Koresë së Veriut e kanë cilësuar përgjigjen ndaj pandemisë një përparësi kryesore dhe çështje të “ekzistencës kombëtare”. Në këto kushte nuk është e qartë se çfarë mund të bëjë Koreja e Veriut deri kur kërcënimi nga virusi të vihet nën kontroll dhe të fillojë hapja e kufijve, thonë analistët. “Nuk ka gjasa që Kim Jong Un të dalë një ditë e të premtojë çarmatimin bërthamore, hapjen e tregjeve dhe përmirësim të gjendjes së të drejtave të njeriut,” thotë Leif-Eric Easley pedagog në Universitetin Ewha në Seul.

“Optimistët presin të shfaqet një vullnet për t’u angazhuar në diplomaci me administratën e ardhshme të zotit Biden, diskutimin e mundësive ekonomike me Korenë e Jugut dhe një qëndrim më të hapur ndaj bashkëpunimit humanitar gjatë pandemisë,” thotë zoti Easley. Pesimistët parashikojnë se regjimi i zotit Kim do të theksojë fuqinë ushtarake, socializmin e bazuar tek forcat e veta dhe shtypjen e vazhdueshme të elementëve të rrezikshëm,” shton ai.

Pranimi i dështimit?

Nuk është hera e parë që Kim Jong Un pranon dështimet e politikave, veçanërisht atyre ekonomike. Në gusht, Komiteti Qendror i Partisë së Punëtorëve pranoi se planet për të përmirësuar ekonominë janë “zvarritur seriozisht” nga “situata të rënda të brendshme dhe të jashtme”. Në vitet e fundit, Kim Jong Un është përpjekur të tregohet si një personalitet më modest sesa babai i tij, ish-udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Il.

Lim Eul-chul nga Instituti i Studimeve të Lindjes së Largët në Universitetin Kyungnam në Seul vuri në dyshim sinqeritetin e zotit Kim në lidhje me pranimin e dështimeve të martën. Por ai thotë se komentet e zotit Kim ishin gjithsesi të pazakonta në kontekstin e Koresë së Veriut, ku ekziston pritshmëria se udhëheqësit e lartë duhet të nderohen shumë. “Nuk është e drejtë të thuhet se ai pranoi dështimin”, tha zoti Lim. “Ai pranoi se rezultatet nuk ishin të mjaftueshme pas kongresit të shtatë, gjë që gjithsesi nuk është shumë e zakonshme duke marrë parasysh praktikat në Korenë e Veriut”.

Drejtimi i politikës së jashtme

Kongresi i partisë, i cili ndodh dy javë përpara inaugurimit të Presidentit të zgjedhur amerikan Joe Biden, gjithashtu po vëzhgohet për shenja në lidhje me politikën e jashtme të Koresë së Veriut. Koreja e Veriut ka bojkotuar për muaj me radhë bisedimet bërthamore, e irrituar nga refuzimi i Shteteve të Bashkuara për të lehtësuar sanksionet. Presidenti amerikan Donald Trump u takua me zotin Kim tre herë gjatë presidencës së tij, por takimet nuk çuan në braktisjen e programit bërthamor nga Koreja e Veriut.

Joe Biden ka thënë se ai nuk do të përjashtonte mundësinë e takimit kokë më kokë me udhëheqësin koreanoverior Kim Jong Un, por ka nënkuptuar që kjo do të bëhej vetëm si pjesë e negociatave më të gjera, të nivelit të ekipeve të punës. Të martën, gjenerali i lartë amerikan në Korenë e Jugut tha se Pheniani nuk duket se po përgatit një provokim të madh rreth fillimit të administratës së zotit Biden. “Ne sot nuk po shohim ndonjë tregues që sugjeron se do të ketë një provokim të madh. Por, kjo mund të ndryshojë javën e ardhshme”, tha Gjenerali Robert Abrams, komandanti i Forcave Amerikane në gadishullin korean, gjatë një forumi në internet.

Hapat e ardhshëm

Koreja e Veriut shpesh ka koordinuar provat e mëdha me armë, duke përfshirë ato me raketa balistike ose armë bërthamore, rreth kohës së tranzicioneve të pushtetit presidencial në Shtetet e Bashkuara për të demonstruar aftësitë e saj ushtarake dhe ndoshta për të fituar epërsi në negociatat e ardhshme me Uashingtonin. Kim Jong Un tha një vit më parë se ai nuk ndihet më i obliguar nga pauza e tij e vetëimponuar mbi provat me raketa bërthamore dhe ato me raketa balistike me rreze të gjatë veprimi, duke ngritur frikën e një kthimi të tensioneve të mëdha në gadishullin e Koresë.

Në tetor, Koreja e Veriut përdori një paradë ushtarake për të demonstruar një raketë të re masive balistike ndërkontinentale, e cila duket se ishte projektuar për t’iu kundërpërgjigjur sistemeve amerikane të mbrojtjes nga raketat. Disa analistë dyshojnë se Pheniani mund të bëjë prova me raketa balistike ose sisteme të tjera armësh në muajt e ardhshëm. Shumë ekspertë në Korenë e Jugut po ndjekin me vëmendje kongresin e Partisë së Punëtorëve për të parë nëse do të japë ndonjë shenjë për bashkëpunimin e ardhshëm ndër-korean.

Koreja e Veriut vitin e kaluar ngriti në mënyrë të njëanshme tensionet me Korenë e Jugut, duke shkaktuar zhgënjim në Seul. Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in, mandati presidencial pesë-vjeçar i të cilit mbaron në maj të vitit 2022, ka vendosur si një përparësi të lartë përmirësimin e lidhjeve ndër-koreane. Gjatë fjalës së tij të hapjes të martën, Kim Jong Un nuk përmendi Shtetet e Bashkuara, Korenë e Jugut ose çështjet bërthamore. Kongresi i partisë së punës pritet të zgjasë disa ditë./VOA

Top Channel