Kaosi e dhuna ne Capitol Hill/ Japin dorëheqjen ndihmësit e Trumpit

07/01/2021 09:41

Dy këshilltare të larta të Zonjës së Parë, Melania Trump dhanë dorëheqjen pas dhunës në Kongresin amerikan dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Shtëpisë së Bardhë po mendojnë te bejne te njejten gjë, përfshirë këshilltarin e sigurisë kombëtare Robert O’Brien dhe zëvendësin e tij, Matthew Pottinger.

Stephanie Grisham u largua nga shefe e kabinetit të zonjës së parë pasi mbështetësit e Presidentit Donald Trump hynë me dhunë në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara në një përpjekje për të mos lejuar Kongresin të certifikonte rezultatet e zgjedhjeve presidenciale.

“Ka qenë një nder t’i shërbeja vendit në Shtëpinë e Bardhë. Jam shumë krenarë që isha pjesë e misionit të zonjës Trump për të ndihmuar fëmijët kudo, dhe krenare për shumë arritje të kësaj administrate,” deklaroi Grisham, e cila për një vit ka qenë sekretare shtypi e Shtëpisë së Bardhë përpara se të bëhej shefe e stafit të Zonjës së Parë.

Edhe pse ajo nuk e pohoi që ngjarja e një dite me parë të ishte arsyeja e këtij vendimi, burime prane saj thane se dhuna e bindi përfundimisht të hidhte këtë hap. Edhe sekretarja sociale e Shtëpisë së Bardhë, Rickie Niceta, dha dorëheqjen, ashtu si edhe një zëvendës sekretare e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Matthews, thotë Reuters.

O’Brien po konsideronte gjithashtu dorëheqjen, ashtu si edhe Pottinger, zëvendës këshilltari i sigurimit kombëtar i cili ka qenë një zë kryesor për politikën ndaj Kinës brenda administratës. Brenda Shtëpisë së Bardhë ka zëra se zëvendës shefi i stafit Chris Liddell mund të japë gjithashtu dorëheqjen.

Top Channel