Iu arratis policisë! 32 kg drogë drejt Maqedonisë së Veriut, kapet në Librazhd 41-vjeçari i shpallur në kërkim

07/01/2021 13:04

Një 41-vjeçar i shpallur në kërkim është kapur dhe ndaluar në Librazhd.

Bëhet fjalë për L. A., 41 vjeç, banues në Pogradec.

Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi në datën 06.08.2020, në bashkëpunim me shtetasin L. N., 43 vjeç (i arrestuar gjatë operacionit), dyshohet se kanë qenë duke transportuar 32 kg lëndë narkotike kanabis në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nëpërmjet kufirit jeshil.

Drejtuesi i automjetit shtetasi L. A. nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar, por është larguar me shpejtësi duke kryer manovra të rrezikshme që kanë rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë. Më pas këta shtetas kanë braktisur mjetin bashkë me lëndën narkotike dhe kanë tentuar të largohen.

Shtetasi L. N. është kapur gjatë operacionit të zhvilluar 5 muaj më parë, në dalje të PKK Qafë Thanë, në tentativë për t’u larguar drejt Maqedonisë së Veriut. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Elbasan, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme hetimore.

Top Channel