Borrell: Të respektohet rezultati zgjedhor në SHBA

07/01/2021 10:04

Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, e quajti “sulm të paparë ndaj demokracisë amerikane” hyrjen e mbështetësve të Presidentit të SHBA-së Donald Trump në ndërtesën e Kongresit në Washington dhe bëri thirrje për respekt ndaj rezultatit zgjedhor në vend.

Në një deklaratë në median sociale, Borrell tha se demokracia amerikane sonte mbeti “nën rrethim” para syve të botës.

“Ky është një sulm i paparë ndaj demokracisë amerikane, institucioneve të saj dhe sundimit të ligjit. Kjo nuk është Amerika. Rezultatet e zgjedhjeve të 3 nëntorit duhet të respektohen”, tha shefi i diplomacisë evropiane.

Ndryshe, një grup protestuesish më herët kaluan barrikadën e policisë për të hyrë në ndërtesën e Kongresit, në kohën kur pritej të zyrtarizohej rezultati i zgjedhjeve të 3 nëntorit dhe të numëroheshin votat e Kolegjit Zgjedhor.

Incidenti ndodhi pasi nënpresidenti Mike Pence, i cili drejtonte seancën e Kongresit dhe u evakuua nga ndërtesa, refuzoi kërkesën e presidentit Donald Trump për të ndërhyrë në numërimin e votave.

Një numër i madh i policëve dhe një grua u njoftua të jenë lënduar si pasojë e ngjarjeve në Washington. Trump udhëzoi Gardën Kombëtare të ndërhyjë në ngjarje, ndërsa po ashtu u bëri thirrje mbështetësve të tij që të shkojnë në shtëpi.

Top Channel