Veliaj: Do strehohen një mijë familje, kanë përfituar nga programi i strehimit me kredi të buta

06/01/2021 15:31

Kopshti Zoologjik, shkollat e reja, Kisha e Shën Prokopit dhe lagjet e reja në Kombinat dhe te “5 Maji” janë disa nga projektet që do të marrin jetë në vitin 2021 në Tiranë.

Kryebashkiaku Erion Veliaj mbolli pemë në Parkun e Liqenit, së bashku me kryetaren e Këshillit Bashkiak, Romina Kuko dhe nënkryetaren, Katerina Marku. Veliaj tha se në pesë vjet Parkut të Liqenit i janë shtuar 30 mijë pemë, ndërkohë që në 1 qershor, fëmijët e kryeqytetit do të marrin si dhuratë Kopshtin e ri Zoologjik.

Veliaj vlerësoi se ky vit i ri nis me lajme të mira për rreth 1 mijë familje të reja, të cilat do të kenë mundësi të blejnë një banesë falë programit të strehimit me kreditë e buta. Ai siguroi familjet e prekura nga tërmeti se do të vijojnë ta marrin bonusin e qirasë, deri sa të futen në banesën e tyre të re.

“Vendimi tjetër lidhet me vazhdimin e bonusit të qirasë për të gjithë ata që e kanë marrë në 2020 – do ta marrin edhe në 2021, derisa të marrin në dorë çelësin dhe hipotekën e apartamentit të ri, qoftë në Kombinat, Kinostudio apo kudo tjetër ku kemi kantiere të hapura”.

Kryebashkiaku nënvizoi se 2021 do të jetë jo vetëm viti i vaksinimit dhe i rimëkëmbjes ekonomike, por edhe i hapjes së shkollave të reja.

“E kuptoj, do të jetë pak siklet për ata që s’kanë bërë asnjë shkollë në Tiranë – do bëjnë debat në janë bërë 17 apo 18 shkolla, por ne mezi e presim një debat të tillë sepse 17 është më e madhe se 0; edhe 18 është më e madhe se 0. E ardhmja u përket atyre që punojnë sepse lënë një shenjë në qytet. Rëndësi ka që të mbahemi mend si një skuadër që la gjurmë në qytet. Ky është motivi i jetës sonë dhe arsyes pse angazhohemi në politikë, jo si qëllim në vetvete, por si mjet me të cilin vendosim për të gjitha ato punë të mira,për të cilat jemi shumë krenarë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA