Katër pacientë që kanë pësuar djegie në shpërthimin e ndodhur ditën e djeshme në qytetin e Ferizajt do të dërgohen për trajtim në Turqi.

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu ka konfirmuar  për median kosovare se tashmë janë kryer të gjithat përgatitjet që katër pacientët që janë lënduar dje në shpërthimin në Ferizaj të nisen për trajtim në Turqi.

Aliu  ka thënë se shteti i Turqisë ka pranuar që të marrë katër pacientë për trajtim të mëtejshëm mjekësor.

“Ende nuk janë nisur pacientët, por ne i kemi kryer të gjitha përgatitjet, katër pacientë do të shkojnë në Turqi për trajtim, pasi që aq ka pranuar shtetit turk. Është çështje kohe se kur do të nisen, sepse tash varet se si janë fluturimet”, ka thënë ai.

Ndërsa, ShSKUK, njofton se kjo është bërë e mundur pas bisedës së  ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj që ka pasur gjatë ditës me Ambasadorin Turk, Sakar dhe me homologen nga Turqia.

Ai është njoftuar se, tash për tash Turqia ka kapacitet  për trajtimin e vetëm katër personave.

ShSKUK deklaron se përzgjedhja e tyre do të bëhet nga konsiliumi i mjekëve të QKUK-së, bazuar në shkallën e djegieve, dëmtimet turpit dhe rrezikshmërisë së lartë për pacientin.

ShSKUK zotohet se pacientët të cilët do të mbeten për trajtim pnë QKUK dhe Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt, do të vazhdojnë edhe mëtutje  të marrin trajtimin maksimal nga profesionistët shëndetësorë.

Theksojmë se të martën në një qendër tregtare në Ferizaj ka shpërthyer një bombolë gazi, ku janë lënduar 42 persona. Disa nga të lënduarit janë duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pasi që kanë pësuar djegie nga 30 e deri në 50 për qind të sipërfaqes së trupit.

Ndërkohë në rrjetet sociale tashmë po bëhet thirrje për grumbullim të mjeteve financiare për shërimin e personave të lënduar nga incidenti i djeshëm.

Zyra e drejtorit të përgjithshëm-ShSKUK

Komunikatë për medie. Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës shpjegon se, bazuar në informatat zyrtare të pranuara nga Ministria e Shëndetësisë, 4 pacientë, që kanë pësuar djegie dje në qytetin e Ferizajt, do të dërgohen për trajtim të mëtejmë në Turqi. ShSKUK njofton se kjo është bërë e mundur pas bisedës së ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, që ka pasur gjatë ditës me Ambasadorin turk, z. Sakar, dhe me homologun nga Turqia. Ai është njoftuar se, tash për tash, Turqia ka kapacitet për trajtimin e vetëm katër personave. ShSKUK deklaron se përzgjedhja e tyre do të bëhet nga konsiliumi i mjekëve të QKUK-së, bazuar në shkallën e djegieve, dëmtimet trupit dhe rrezikshmërisë së lartë për pacientin. ShSKUK zotohet se pacientët, të cilët do të mbeten për trajtim në QKUK dhe në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt, do të vazhdojnë edhe mëtutje të marrin trajtimin maksimal nga profesionistët shëndetësorë.

Top Channel