Duket se ylli i reality show-t “Keeping Up With the Kardashians”, Kim dhe reperi Kanye West po bëjnë gjithçka për të shpëtuar martesën e tyre.
Ndonëse dyshja po përgatitet për t’u divorcuar, një burim rrëfen për “PEOPLE” se ata gjenden në një terapi në çift, si një përpjekje e fundit kjo për të mos u ndarë.
“Kim dhe Kanye po marrin këshillim për marrëdhënien e tyre. Nuk ka akoma një vendim përfundimtar nga të dyja palët. S’ka marrë fund ende. Ata po përpiqen ta shpëtojnë martesën e tyre”, thuhet për “PEOPLE”.
Ndërkohë familja Kardashain po mundohet ta përkrahë sa më shumë Kim-in, pavarësisht vendimit që ajo do të marrë.
“Kris Jenner dhe motrat e Kim-it po tregohen tepër ndihmuese. Kanë qenë të pranishme në vështirësitë që Kim-it i është dashur të kalojë vitin e shkuar dhe e vetmja gjë që duan është t’i shohin të dyja palët të lumtura”, shprehet një burim i dytë.
Të martën në mbrëmje, zëra të shumta thanë se Kardashian po përgatiste dosjen e divorcit.
“Ai e di që ajo i ka dhënë fund. Ka vuajtur mjaftueshëm, ndaj i kërkoi Kanye-s të merrte kohë dhe hapësirë për të menduar rreth së ardhmes. Ai është mirë. Është i mërzitur, por është mirë. E di që shumë shpejt do të ndodhë ndarja”.
Por çfarë ndodhi mes tyre?
Problemet erdhën fill pasi dyshja kaloi një verë të trazuar, veçanërisht prej kandidimit të West-it për president, i cili gjatë një fushate elektorale në korrik, zbuloi detaje thellësisht personale në lidhje me familjen dhe martesën e tij. Asokohe u përfol se pati një krisje nga ana e Kim-it, e cila nuk e përkrahu kurrsesi bërjen publike të ndodhive personale. Kanye ndër të tjera tha se dikur, kur Kim mbeti shtatzënë me North-in në 2013-ën, ata kishin marrë në konsideratë një abort të mundshëm.
Verën e vitit të shkuar, Kim Kardashian foli për shëndetin mendor të bashkëshortit, ku në një postim në Instagram tha se reperi është diagnostikuar me çrregullim bipolar.
“Siç e dini shumë prej jush, Kanye ka çrregullim bipolar. Nuk kam folur asnjëherë publikisht se si ka ndikuar kjo te ne, sepse jam shumë protektive (mbrojtëse) ndaj fëmijëve dhe të drejtës së Kanye-s për privatësi, kur bëhet fjalë për shëndetin e tij mendor.”
Ishte viti 2014 kur Kim Kardashian dhe Kanye West e kurorëzuan dashurinë e tyre. Ata janë prindër të katër fëmijëve, North-it, Chicago-s, Saint-it dhe Psalm-it.
Top Channel