Gjermania zgjat izolimin/ Vendimi pas takimit të Merkel me kryeministrat e Landeve

06/01/2021 02:21

Kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi se ka zgjatur dhe forcuar bllokimin e vendit deri në 31 janar. Merkel e bëri njoftimin pas takimit me 16 drejtuesit e landeve. “U vendos që shumica e dyqaneve jo-ushqimore, bare, restorante, ambiente kulturore dhe të kohës së lirë dhe shkollat do të qëndrojnë të mbyllura”, tha Merkel.

“Ne duhet të zvogëlojmë më tej kontaktet tona shoqërore në mënyrë që të luftojmë pandeminë”, shtoi Kancelarja.

Masat e bllokimit aktual filluan fillimisht në 16 dhjetor dhe pritej të mbaronin më 10 janar, por bllokimi i pjesshëm nuk arriti të qetësonte numrat e infektimeve.

Tani, nën rregulla edhe më të rrepta, njerëzit në zonat që konsiderohen si pika të nxehta të virusit nuk do të lejohen të udhëtojnë mbi 15 km nga shtëpitë e tyre pa një arsye të fortë.

Dhe ata që mbërrijnë në Gjermani, nga një destinacion që konsiderohet me rrezik të lartë, do të duhet të japin dy rezultate negative të testit, me një karantinë të detyrueshme pesë-ditore edhe në rastet kur testi i parë është negativ. Të martën, agjencia e kontrollit të sëmundjes së Gjermanisë tha se 11,897 raste të koronavirusit u konfirmuan në 24 orët e fundit.

Top Channel