Milani provon shijen e humbjes në kampionat pas thuajse 10 muajsh nga koha kur mposhtej 1-2 nga Genoa, pasi sonte u dorëzua dhe pësoi disfatën e parë sezonale në Serinë A, me rezultatin 1-3 ndaj Juventusit në “San Siro”.

Kuqezinjtë vinin në këtë takim me disa mungesa të rëndësishme, ndërsa Pirlo nuk kishte në dispozicion emra si Morata, Cuadrado e Alex Sandro, por në fushë nuk mungoi spektakli.

Sfida nisi më mirë për Milanin, që u afrua disa herë rrezikshëm në zonën e Szczesnyt, por shkëndijën e parë e dha Federico Chiesa, që përplasi topin në traversën e Donnarummës, pas një gjuajtjeje të bukur.

Rezultati u zhbllokua në minutën e 18′, kur Dybala kombinoi bukur me Chiesën dhe me një finte spektakolare nxorri italianin përballë Donnarummës, aty ku nuk mund të gabonte dhe dërgoi topin në rrjetë.

Chiesa ishte rreziku kryesor për Milanin gjatë gjithë pjesës së parë, megjithatë kuqezinjtë reaguan mirë dhe pasi kërcënuan disa herë portën e Szczesnyt, rikthyen baraspeshën në minutën e 41-të me Calabrian, pas një kundërsulmi që lindi nga një faull i padhënë në gjysmëfushën e milanezëve.

Pjesa e dytë nisi sërish me Juven kërkuese, ndërsa në minutën e 62-të ishte sërish Chiesa që u lirua nga mbulimi i The Hernandez dhe mposhti Donnarummën me një të majtë të hidhur në cepin e portës.

Llogaritë i mbylli McKennie në minutën e 76′, me një gol të “gatuar” nga Denan Kulusevski, që depërtoi më zonë dhe shërbeu për amerikanin, që e pati të lehtë të shtyjë topin në rrjetën e Donnarummës për herë të tretë.

Me këtë fitore Juventus ngushton në 7 pikë diferencën me Milanin, që vijon të kryesojë me 37 pikë në 16 javë.

Top Channel