BE, “ok” vaksinës së Moderna-s/ E sigurt dhe efikase, na ndihmon pamasë!

06/01/2021 14:46

Agjencia Evropiane e Barnave, EMA i dha dritën jeshile vaksinës së Moderna-s, e cila merr aprovimin e saj pas Pfizerit.

EMA e rekomandoi autorizimin për përdorim të vaksinës së prodhuar nga kompania amerikane, e cila këshillohet për personat mbi 18 vjeç.

“Vaksina e Modernës është e sigurt dhe efikase. Mund ta garantojmë autorizimin e saj për shpërndarje në BE. Punuam me të gjithë shpejtësinë e mundshme në mënyrë që ajo të miratohej dhe të jetë sa më shpejt e disponueshme në vendet e bllokut evropian”, shkroi në Twitter kryetarja e KE-së, Ursula Von der Leyen.

“Kjo vaksinë është një tjetër instrument për të kapërcyer emergjencën aktuale”, konfirmoi nga ana tjetër drejtoresha ekzekutive e EMA-s, Emer Cooke.

“Ashtu si për të gjitha medikamentet e tjera, do t’i monitorojmë me kujdes të dhënat e sigurisë dhe efikasitetin e kësaj vaksinë për të garantuar një mbrojtje të vazhdueshme të publikut. Puna jonë do të udhëhiqet gjithmonë nga prova shkencore dhe nga angazhimi ynë për t’u kujdesur për shëndetin e qytetarëve të BE-së”, nënvizoi Cooke.

EMA thotë se në një studim të gjerë klinik, vaksina e Moderna-s u dëshmua e efikase në parandalimin e Covid-it te personat mbi 18 vjeç. Rezultoi se rrezikun e infektimit, ajo e reduktonte me 94.1 përqind.

Top Channel