Xhorxhia e SHBA-së voton në balotazhin për senatorë

05/01/2021 17:53

Në shtetin amerikan të Xhorxhias nisi votimi në balotazhin për senatorë, që do të vendosë nëse demokratët e presidentit të zgjedhur, Joe Biden, do ta kontrollojnë Senatin ose jo.

Partisë së Bidenit i duhet t’i fitojë të dyja ulëset për të marrë kontrollin e plotë të Kongresit dhe, me të, fuqinë për të shtyrë përpara agjendën e tij.

Partia Republikane e presidentit në largim, Donald Trump, ka nevojë vetëm edhe për një ulëse, për të ruajtur kontrollin në Senat.

Biden ka thënë se banorët e Xhorxhias mund ta modelojnë SHBA-në për vitet që do të vijnë.

Trump, në anën tjetër, u ka thënë votuesve të tij se është “shansi i fundit për ta shpëtuar Amerikën” që duan.

Republikanët Kelly Loeffler dhe David Perdue aktualisht mbajnë dy vendet e Xhorxhias në Senat.

Loeffler konkurron kundër demokratit Reverend Raphael Warnock, ndërsa Perdue kundër Jon Ossoffit.

Asnjëri prej kandidatëve nuk ka siguruar 50-përqindëshin e nevojshëm të votave në zgjedhjet e nëntorit, gjë që ka çuar në balotazhin e sotëm.

Republikanët aktualisht kanë 52 nga 100 vendet e Senatit.

Nëse demokratët fitojnë të martën, Senati do të ndahet në mënyrë të barabartë. Në atë rast, votë përcaktuese në Senat do të jetë ajo e nënpresidentes së ardhshme demokrate, Kamala Harris.

Top Channel