Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës shumë shpejt do të shkojnë në misione jashtë vendit, bashkë me pjesëtarët e Gardës Kombëtare të Ajovas së Shteteve të Bashkuara.

Kuvendi i Kosovës, pritet të vendosë për dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit në bashkëpunim me Gardën Kombëtare të Ajovës. Seanca mbahet me kërkesë të kryeministrit në detyrë të Kosovës, Avdullah Hoti.

“Në bazë të ftesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Qeveria e Kosovës me 31 dhjetor 2021, ka miratuar vendimin për bashkë-dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit me Gardën Kombëtare të Ajovës. Ky vendim i është dërguar Kuvendit të Kosovës me propozimin për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në misione për mbështetje të stabilitet rajonal dhe operacioneve paqeruajtëse, nën Komandën Qendrore Amerikane”, thuhet në njoftimin e Qeverisë në detyrë.

Vendimi mbështetet në memorandumin që Kosova e ka nënshkruar me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit bashkë me Gardën Kombëtare të Ajovës. Forcat politike e kanë mbështetur kërkesën e qeverisë pa rezerva madje e kanë quajtur arritjen më të madhe në rrugëtimin e FSK-së drejt një ushtrie të standardeve të NATO-s.

FSK-ja, deri më tani, nuk ka marrë pjesë në operacione paqeruajtëse jashtë vendit. Në 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet ligjore për transformimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në forca të armatosura. Sipas legjislacionit, është paraparë që procesi i transformimit në Ushtrinë e Kosovës, të zgjasë dhjetë vjet.

Top Channel