Sipas deputetit të PS-së, Ervin Bushati, taksa progresive ndihmon 98% të shqiptarëve, ndërsa Pano Soko i Nismës Thurje thotë se po dëmtohet shtresa më e rëndësishme, shtresa e mesme e popullsisë.
Debati midis dy të ftuarve nis që me përcaktimin e shtresës së mesme. Sipas Panos në shtresën e mesme futen të gjithë të punësuarit, ndërsa sipas Bushatit në shtresën e mesme futen vetëm ata që paguhen 30.000 deri 70.000 lekë në muaj.
“Shtresa e mesme në fakt paguan 5%. Ata që janë shtresa e mesme, që marrin 30.000 deri në 70.000 lekë të reja paguajnë 5% për atë që marrin. Në Shqipëri, 12% e atyre që janë vetëpunësuar paguajnë 0% taksa. Edhe ata që marrin deri në 30.000 lekë në muaj, taksohen 0%”.
Pano jep një shpjegim tjetër për skemën e taksimit. “Nuk është ashtu. Nëse ti merr 70.000 lekë, për vlerën 0-30.000 lekë taksohesh 0%, për pjesën tjetër të vlerës taksohesh 13%”.
Pano pranon se kjo është një skemë ku fitohet më shumë por propagandohet më pak.
“Rilindja thotë se ka një ulje të taksimit për 97% të shqiptarëve, unë nuk e kuptoj ku e kanë gjetur këtë shifër, sepse kur ka ardhur Rilindja në pushtet taksa për fitimin mbi 30.000 lekë ka qenë 10% e diferencës, sot është minimalisht 13% e diferencës. Taksën për pagën 0-30.000 e kanë lënë të njëjtë, nuk kanë bërë asnjë ulje taksash, këta vetëm kanë rritur taksa”.
Sipas tij, tatimi mbi ata që kanë biznese dhe që normalisht fitojnë shumë para, është shumë i ulët se tatimi mbi të punësuarit.
Bushati kundërshton duke thënë se gjysma e atyre që janë të punësuar paguajnë vetëm 5%. “Në kohën e PD, më mirë kanë qenë ata që paguheshin mbi 150.000, që në Shqipëri është shumë pak.Në një forcë progresive të majtë shikohet shumica dhe 92% e popullatës ka përfituar”.
Ervini hedh poshtë argumentet e Panos, sepse sipas tij, Pano nuk e di teorinë ekonomike, nuk është ekonomist.
Bushati e cilëson tatimin progresiv shumë të suksesshëm. “Sot 90% e bizneseve në Shqipëri e kanë tatim fitimin 0. Kjo teoria që ndihmojmë oligarkët nuk vlen sepse sot 9% e bizneseve mbajnë gjithë arkën e shtetit. Ajo që thotë zotëria (Pano) vlen vetëm për ata që marrin mbi 4 milion lekë në muaj”.
Megjithatë, kryetari i Partisë Socialiste për Tiranën pranon se për shtresën e mesme mund të bëhen ndryshime për t’i ndihmuar.
“Problemi që qëndron në Shqipëri është që njerëzit që janë më të aftë, që punojnë dhe e meritojnë, e kanë këtë tatim më të lartë se gjithë pjesa tjetër që shumica e ka 0. Është e vërtetë që njerëzit që janë më në zë në media, se ndoshta janë edhe më të aftë e ngrenë këtë si shqetësim.
Ka një mundësi për këta njerëz që më vonë të hapin një biznes ose të punojnë si të pavarur dhe jo të punësuar dhe të taksohen më pak”.
Sipas Panos, se taksa për të punësuarit nuk ka pse të jetë progresive. Të punësuarit janë njerëzit më të kualifikuar, pjesa më e madhe e shoqërisë, janë shtresa që krijojnë.
“Problemi këtu është që shtresa e mesme që është më kreative është më e goditura, po frenohet”.
Bushati thotë që mund të ketë rishikim të tatimit mbi fitimin por nuk thotë nëse kjo do të ndodhë para zgjedhjeve të këtij viti apo më vonë.
Top Channel