Në supermarket për “pazar”… Studenti i Drejtësisë, vaksinim surprizë

05/01/2021 14:52

Një student drejtësie në Uashington ka përfunduar duke marrë më shumë se sa thjeshtë ushqime pas një vizite të fundit në supermarket, ku mori, krejt rastësisht një vaksinë anti covid.

David MacMillan dhe një miku i tij kishin shkuar në një supermarket në kryeqytetin amerikan, javën e shkuar, dhe u habitën kur një punonjës në sektorin e farmacisë së supermarketit, i kishte ofruar të dyve atyre nga një dozë vaksine. Marrja e vaksinës në fakt nuk kish qenë në listën e blerjeve të çiftit dhe aktualisht vaksina po i administrohet stafit të emergjencave dhe punonjësve të tjerë të vijës së parë të frontit.

MacMillan postoi një video të tij, kur merrte vaksinën në TikTok, video kjo që është parë më shumë se 700 mijë herë deri të hënën. Ai thotë se i ishte ofruar vaksina pasi punonjësit e shëndetësisë që duhej ta merrnin atë nuk ishin shfaqur në orarin e caktuar. Vaksina e Modernës, që dy të rinjtë morën, duhet mbajtur në temperatura shumë të ftohta dhe dëmtohet shpejt pasi është nxjerrë nga ngrirësi dhe kur mbështjellja e saj shpohet. Tani, MacMillan thotë se ai pret që dozën e dytë ta marrë më vonë këtë muaj.

Top Channel