Kinë, dënim me vdekje/ Ish bankieri, fajtor për korrupsion e bigami

05/01/2021 14:18

Ish presidenti i një prej bankave më të mëdha në Kinë, e kontrolluar nga shteti, është dënuar me vdekje të martën për marrjen e 260 milionë dollarëve ryshfete, korrupsion dhe bigami.

Lai Xiaomin, ish anëtar i partisë komuniste, bëri një pranim të detajuar të fajit në televizionin shtetëror nga një apartament në Pekin, që duket se i përkiste atij, me kasaforta dhe rafte të mbushura me para.

Ai, sipas gjykatës, ka abuzuar me postin e tij në përpjekje për të fituar sa më shumë dhe ka patur qëllime të këqija.

Përveç akuzave për ryshfete dhe korrupsion, Lai u shpall fajtor edhe për bigami pasi jetonte si burrë e grua për periudha të gjata jashtë martesës dhe kishte fëmijë të paligjshëm. Hetimi rreth tij nisi në prill 2018 për rreth 3.8 milionë dollarë fonde publike që devijuan. Gjatë rrëfimit të tij në televizion ai tha se nuk kishte shpenzuar as edhe një cent dhe se i kishte mbajtur të gjitha paratë në shtëpi.

Top Channel