Kërcënon Dodik: Bosnja do të zhduket më shpejt sesa do të shfuqizohet Republika Serbe

05/01/2021 18:07

Kryetari i presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Milorad Dodik iu drejtua gazetarëve, pas largimit nga Qendra Klinike Universitare e Republikës Serbe.

Ai ishte i shtruar në spital për 25 ditë, pasi u infektua me COVID-19, raporton b92.

Duke iu drejtuar shtypit, Dodik tha se Bosnja dhe Hercegovina do të zhdukej më shpejt sesa Republika Serbe do të shfuqizohej, duke komentuar deklaratën e kreut të Partisë së Veprimit Demokratik (SDA), Bakir Izetbegovic.

“Për shembull, unë mendoj se BH-ja do të zhduket dhe se Republika Serbe do të mbetet, të jetë një shtet, i cili ka të drejtën e ekzistencës së tij”, tha Dodik.

“Koha për një vendim të tillë do të vijë me siguri. BH-ja do të shpërbëhet më shpejt sesa Republika Serbe do të shfuqizohet. Unë besoj se ne do të vendosim një opsion shumë realist për Republikën Serbe, për të siguruar statusin e saj si një vend i pavarur dhe sovran”, tha ai.

Kryetari i presidencës boshnjake pohoi se 25 ditët e kaluara në spital ishin më të vështirat në jetën e tij, duke falënderuar mjekët dhe stafin e spitalit për vëmendjen që kishte gjatë trajtimit.

Top Channel