“Ku janë paratë e mia”/ SHBA, sulmohen shtëpitë e krerëve të Kongresit

03/01/2021 14:28

Mediat amerikane njoftuan se disa vandalë kanë shënjestruar banesat e udhëheqësit republikan të Senatit, Mitch McConnell dhe kryetares demokrate të Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

“Ku janë paratë e mia” dhe “Mitch po vret të varfrit” ishte shkruar në derën dhe dritaren e shtëpisë së McConnell në Louisville të Kentuckyt. Shtypi lokal thotë se një kokë derri dhe gjak i rremë ishte lënë përpara shtëpisë së Pelosit në San Francisco. Shtëpitë u vunë në shënjestër pas debatit mbi paketën e ndihmës kundër pandemisë.

Një paketë prej 900 miliardë dollarësh u miratua më në fund në prag të Krishtlindjes, kur Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga Demokratët aprovoi një rritje të ndihmës nga 600 në 2 mijë dollarë. Por Senati i udhëhequr nga republikanët nuk e miratoi rritjen, pavarësisht thirrjeve të fuqishme të bëra për këtë nga presidenti Donald Trump. McConnell i quajti mbishkrimet një “zemërim radikal” dhe shtoi se “vandalizmi dhe politika e frikës nuk kanë vend në shoqërinë tonë”.

Top Channel